Home Editorial / Opinion Kosovës i duhet një konsensus për reforma institucionale, e jo konsensus për...

Kosovës i duhet një konsensus për reforma institucionale, e jo konsensus për protagonizma politik!

106
0
SHARE

Konsensusi i kërkuar përmes tryezave, nga ca subjekte është absurd edhe për një fakt tjetër logjik: ne tani nuk jemi në vitet 90-ta…!

Shkruan: Fadil MALOKU

1. Konsensusi politik në jetën publike kosovare ka ca kohë që është futur në diskursin politik, disi si një lloj zgjidhjeje, por edhe satisfaksioni që po mundohet me çdo kusht të plotësojë shterpësinë dhe kreativitetin e protagonizmit të ca lidershipëve partiak dhe ca partive politike kosovare. Duke harruar, kështu, se koncepti i konsensusit, edhe si term, edhe si kategori e komunikimit sociopolitik, nuk ka të bëjë edhe aq me uniformitet a njëmendësi të vepruarit, të gjykuarit, e as me njëtrajtshmërinë e qëndrimit publik politik, por më shumë me një tendencë racionale sociale, që hynë në funksion të një pajtimi koherent, e në interes të shtetndërtimit të vonuar dhe të kontestuar nga të gjitha anët.

2. Aktualisht, duket se kjo nuk po ndodhë në skenën politike dhe institucionet kosovare. Duket absurde që në emër të interesave institucionale, e edhe atyre kombëtare, të kërkosh konsensus, pra pajtime partiake (me programe e afinitete klanore!), e që, ndërkohë, t’i kesh formalizuar me ligje dhe me Kushtetutë institucionet shtetërore?! Konsensusi i kërkuar përmes tryezave, nga ca subjekte është absurd edhe për një fakt tjetër logjik: ne tani nuk jemi në vitet 90-ta, kur ky tip konsensusi apo pajtimi gjithëkombëtar atribuohej me terma dhe koncepte eufemiste (homogjenizëm, solidaritet organik, anomizëm, etj.)

3. Fitohet përshtypja dhe perceptimi i argumentit sociologjik, se Kosova në këtë fazë emancipimi sociopolitik shumë më shumë ka nevojë për një model konsensusi institucional, i cili duhet të zhvillohet brenda institucioneve që i kemi. Ky model, pas diskutimeve të shterura në aulat e Kuvendit, do të duhej të ofrojë alternativa, kompromise, dakordime e zgjidhje si për: Reformën Zgjedhore (që tani nuk përputhet fare me zhvillimet dhe proceset aktuale, e as me nivelin e emancipimit), ashtu edhe për Reformën Kushtetuese (një lloj vetingu identik me atë në Shqipëri), e jo platforma e skema partiake për temat që është duke i imponuar ritmi i agjendave evropiane. Arsyeja është e thjeshtë: Me reformë zgjedhore dhe atë kushtetuese, edhe fuzionohen agjendat evropiane, edhe hapen horizontet e ndryshimit të status quo-s që për këto dy dekada ka prodhuar vetëm monopole oligarkike nga ana e klaneve partiake, të cilat në emër të konsolidimit të sovranitetit (të paqenë), edhe familjarizohet diskursi i sundimit të ligjit (që u keqpërdor sërish nga të njëjtat klanet partiake), edhe fuqizohen institucionet ekzistuese…

Pra, Kosovës i duhet një konsensus për reforma institucionale, e jo konsensus për protagonizma politike partiake dhe promovimit të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here