Home Editorial / Opinion Krejt devijimet në Kosovë kanë një adresë: te politikanët matrapaza!

Krejt devijimet në Kosovë kanë një adresë: te politikanët matrapaza!

135
0
SHARE

Pushtetin e përdorën ekskluzivisht për interesat e veta personale, e klanore…, e jo për kauza nacionale dhe shtetndërtuese!

Shkruan: Fadil MALOKU

1. Një fenomen që, pa dyshim, është duke e përcjellur procesin e shtetndërtimit të Kosovës është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së “ngjyrimit” të çdo gjëje që prodhoi, në ndërkohë, jeta sociale dhe ajo politike në “betejat” e konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike.

2. Kur flasim për politizimin, zakonisht mendja na shkon te përceptimi për humbjen e sensit dhe kohezionit tonë politik për të krijuar institucione kredibile, që po prodhon, përveç sjelljeve devijante (krim kulminant, konflikte ndërgrupore e brendainstitucionale, shtim të interesave klanore dhe zbehje të atyre publike, fatëpajtimi i çuditshëm dhe “gjumë dogmatik” të publikut, kur janë në pyetje interesat e përgjithshme qytetare), edhe konflikte e skandale me afera të matshme…

3. I gjithë ky proces i fillimit të vetëkërkimit të shkaqeve në rastin tonë kosovar, mund t’u adresohet shumë faktorëve: shpërnguljes nga një zonë rurale në një zonë urbane, margjinalizimit të grupeve të caktuara, deprivimit social, krizës morale, anonimitetit…,etj.

4. Por, në të njejtën kohë, është evident edhe antipodi i këtij fenomeni, ai i apolitizmit, i cili, sipas një gjykim, ende të paprerë sociologjik, është duke u bërë edhe një ndër shkaqet e kësaj gjendjeje të tepruar të “ngjyrosjes” me indiferencën e tepruar ndaj veprimeve të partive tona politike, për kauzat kombëtare.

5. Përceptimi kësisoji qytetar, që nënkupton jo gjithherë edhe qëndrimet e publikut të gjerë, ato të shoqërisë civile, e sidomos të disa medieve mercenare, pa dyshim që ngjallë dyshime për shkallën e gatishmërisë së emancipimit tonë politik.

6. E themi kështu, edhe për shkak se përceptimet, për dallim nga kërkimet empirike, na çojnë gjithëherë në gjykime të gabuara për ndonjë fenomen apo dukuri që zhvillohet në shoqëritë e transicionit të vonuar, sikurse është Kosova.

7. Sipas kësaj logjike, që më shumë na imponohet si perceptim, fitohet përshtypja që kujdestar kryesor për gjitha këto vonesa e nëpërkëmbje të qarta të institucioneve tona sociale e politike, janë politikanët matrapaza që pushtetin e përdorën ekskluzivisht për interesat e veta personale, e klanore…, e jo për kauza nacionale dhe shtetndërtuese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here