Home Editorial / Opinion Qytetarët po i vuajnë pasojat e improvizimeve të lidershipit aktual partiako-politik!

Qytetarët po i vuajnë pasojat e improvizimeve të lidershipit aktual partiako-politik!

147
0
SHARE

A është koha e pensionimit të lideshipave politike shqiptare si kusht për t’ua kthyer qytetarëve mirëqenien sociale-ekonomike, zhvillimin, perspektivën, vizionin dhe elitizmin e mirëfilltë dhe të pjekur qytetar?!

Shkruan: Fadil MALOKU

1. Kriza nga transformimi i partive politike ndër shqiptarët, duket që ende mbetet një punë “Sizifi”, edhe me faktin se ato ende koekzistojnë me krimin dhe korrupsionin. S’këndejmi, është shumë vështirë që këto krijesa “centaur”, me origjinë tipike oligarkike, gjatë periudhës së tranzicionit të bëhen bartëse dhe artikuluese të njëmendëta të shtetësisë dhe pushtetit të njëmendët demokratik.

2. Etika e krizës së tyre, duket që rrjedh nga pasojat e aferave korruptive, skandaleve në nivel lokal dhe qendror. Pastaj nga: klientizmi, konformizmi, servilizmi ndaj liderit partiak e, pamëdyshje, edhe nga teknikat e rrenave dhe mashtrimeve që ato i “ushtrojnë” gjatë fushatave elektorale e qeverisjes.

3. Në fakt, shenjat dominuese që e dëshmojnë decidivisht krizën brendapartiake, që “prodhon”, si pasojë të mungesës së: vizionit qeverisës, platformës dhe programit alternativ, janë ngarrisja kah krijimi i një lidershipi me pretendime karizmatike, ku më së miri dhe më së lehti fshihen të metat dhe dobësitë: organizative, aferat korruptive dhe, padyshim, klientelizmi financiar, etj, etj.

4. Vetëm partitë politike që dëshirojnë të mbajnë në ilegalitet të plotë aferat, skandalet dhe mashtrimet parazgjedhore, orientohen për forma formale të përzgjedhjes së lidershipit partiak. Sepse, konkurrenca maksimalizohet në formalitet dhe manipulim elektoral. Ngase, përmes tyre, ato bukvalisht blejnë kohën e duhur për ta stërzgjatur si manipulimin, ashtu edhe përceptimin e rrejshëm mbi proceset dhe zhvillimet në vend.

5. Kontrolli i politikës mbi mediet – sot, qyetarisë, ende fëmijërore në aspektin e (mos)pjekurisë politike, nga shumica e vendeve të tranzicionit, e sidomos vendeve si rasti ynë; që nuk janë as të pavarura, as shtete, e as demokratke – u ka mundësuar partive politike ta vrasin dhe banalizojnë demokratizimin e vendit, me skandale e afera korruptive, ta joshin me lloj lloj privilegjesh elitën intelektuale dhe, sidomos, ate mediale.

6. Në një ambient të tillë të emancipimit politik të qytetarisë, çfarë e kemi aktualisht ne shqiptarët e Ballkanit, etosi medial partiak ka ndikim të jashtëzakonshëm në urtësimin dhe padyshim manipulimin e partive politike, sidomos të atyre të tipit “makiavelist”, që zejen e mjegullës e kane bërë zanat dhe profesion ditor.

7. Por, këtë “zhveshje” të shumicës së partive politike nga urtësia e moralit dhe dobisë sociale e materiale, duhet kërkuar, padyshim, edhe tek konteksti i proceseve transitive, dhe rrethanat aktuale globale. Natyrisht, partitë politike me intencat e tyre improvizuese, pa u hy fare konkurrencave lojale, pra pa votime të fshehta për lidershipat e tyre partiak, vetëm sa e rimohojnë rregullën dhe parimin elementar të demokracisë – atë të drejtës për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur në forumet partiake.

8. Vetëm, një qytetari e angazhuar “online” pra, një elektorat konsistent, e i arsimuar mund t’i skematizojë si nevojat ashtu edhe kahjet tona ideologjike dhe prosperitetin ekonomik. Ndryshe, edhe për dekada të tëra do vuajmë pasojat e improvizimeve, dhe ngecjeve, që po na i lënë pas subjektet aktuale politike…

/Autori  është doktor i shkencave sociologjike, punon profesor i rregullt në departamentin e sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here