Home Kronikë / Shoqëri Muhaxher mëhalla – apo lagjja e muhaxherëve te Baja e qytetit

Muhaxher mëhalla – apo lagjja e muhaxherëve te Baja e qytetit

116
0
SHARE

 Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Ah Gilan – ah zaman! Ah Gjilan – kohë o kohë!

Iu kemi rikthyer përsëri temës kronikë: Gjilani dje, Gjilani sot, duke mëtuar të sjellim deri tek lexuesi ngjarje, zhvillime, mënyrën e jetesës në lagjet e qytetit.

Këtë herë dr. Shevqet Mehemti përmes rrëfimesh e përshkrimesh interesante ka ndërtuar pasqyrën kronikë për një lagje të qytetit, e cila shtrihet në pjesën e epërme të qytetit, saktësisht te rrezja e vendit të quajtur e të njohur si “Te Banja – te plepat”.

Pra, është fjala për Muhaxher mëhallën, ashtu siç i thuhej atëherë – lagjja e muhaxherëve.

Rëfimi i dr. Shevqetit ka disa vazhdime dhe do t’i lexoni në ditët në vijim. Jeta është paraqitur ashtu siç ishte atëherë. Pra, është një rrëfim që pasqyron realitetin e asaj kohe.

1.

/Pjesa e parë/

…Isha fëmijë, ende nuk shkoja në shkollë, ndërsa në fund të Muhaxher mëhallës ishte Banja prej nga furnizohej qyteti me ujë dhe baseni olimpik aty, në rrjedhën e Banjës. Për Banjën në Muhaxher mëhallë kishte shumë gojëdhana e legjenda: për fuqinë e Banjës që mund ta vërshojë Gilanin, për mbylljen e dyerëve të Banjës me pambuk, për rrugëtimin e patave nga Banja deri në Vardar në Shkup…

Afër Banjës gjendej baseni olimpik i ndërtuar nga komuna, ndërsa në anën e poshtme kalonte lumi i Banjës me ujë të nxehtë, në skaj ishte rreshti i plepave, të cilët bartin histori në vete. Pas Banjës ishte Gllama, një kodrinë me nëndheun e pasur, e në rrëzë ishin varret e romëve muslimanë. Në drejtim të Stanishorit, ndërkaq, ishin tokat e Kahramanit që kishte qenë teleprinterist në Ushtrinë Osmane, që ishte baxhanak me stërgjyshin tim.

Muhaxher mëhalla shtrihej në mes të tyrbës të Burnusus babës dhe lumit Banja. Ndërkaq, në mes Banjës dhe gjimnazit, që në kohëm e Perandorisë Osmane, kishte qenë Spitali me 30 shtretër.

Ah Gilan, ah zaman, ah Muhaxhir mëhallë! Në anën e majtë nga tyrbeja e Burnusus babës ishin tokat pjellore të Gavranit; djathtas rrugës kryesore dhe lumit Banja ishin bashqet e Mehmetalëve, Cuckiqëve, Adil Çaushit dhe Mustafa Inanit nga Dobërçani.

Muhaxhir mëhalla, emër që zgjon dhembje dhe përkëdhelje… Në këtë lagje, sipas fjalëve të prindit tim, të lindur me 1923, shtëpitë ishin përdhese, të mbuluara me qeramidhe, të punuara me hatlla dhe baltë, që kishin më së shumti dy dhoma. Pas vitit 1887-1888, në këtë mëhallë që ishte periferi e Gilanit vendosen Graincët, Pllanalitë, Radecët, pastaj Brestovcët, Huruglicët, Tërstenët dhe disa familje Novobërdaliu.

Pas vitit 1912 në këtë lagje vendosen edhe disa familje serbe. Në anën e djathtë të rrugës kryesore gjendet teqeja “Sadi” me tyrbe, që ishin njëkatëshe, e në oborr ishte varret e Hajdar Gagicës, i lindur me 1896, Ismajl Mustafës, i lindur me 1871, qe i takonin tarikatit “Sadi” dhe varri i vajzës së vogël të Halim Graincës, Ylfetes. /Vazhdon/

/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/

01.12.2018

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here