Home Kronikë / Shoqëri Fëmijët në rrugë bënin zhurmë, dëgjohej goditja e çekanëve të farkatarëve në...

Fëmijët në rrugë bënin zhurmë, dëgjohej goditja e çekanëve të farkatarëve në njërën anë, në anën tjetër dëgjohej zëri i instrumenteve muzikore – një kolorit i vërtet i jetës!

191
0
SHARE

Mëhalla e romëve parapa Stacionit të Autobusëve, siç quhej ndryshe mëhalla e Masuricëve – Lagjja e Masuricëve (romëve)…  

Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Rrëfimi i radhës i dr. Shevqetit sjell kronikën e dytë nga kjo lagje, me plot episode, gjurmë, jehonë jete përmes punës, këngës, muzikës, artit teatror, gazetarisë, letërisë, futbollit…

Do të lexoni: Kush ishte shkrimtar nga kjo lagje? Kush ishte gazetari rom i Radio Gjilanit? Kush ishin mjekët nga kjo lagje? Sa klube futbollistike ishin formuar nga romët e kësaj lagjeje në nivel qyteti? Ku punonin romët dikur? Çfarë mesazhi sjell nga një dasmë rome kronisti dr. Shevqeti?, Etj, etj…

2.

Kur isha fëmijë, në kohën e panagjyrit të qytetit, prapa Stacionit të Autobusëve, disa ditë më parë vizitoja këto rrugë ku banonin romët. Jeta ishte e gjallë në rrugë, dyert e dhomave kishin dalje drejtë në rrugicë. Rrallëherë ndonjë shtëpi kishte disa metra oborr. Shtëpia e Murat kovaqit ishte më e madhja, ai kishte 8 djem. Fëmijët në rrugë bënin zhurmë, dëgjohej goditja e çekanëve të farkatarëve në njërën anë, në anën tjetër dëgjohej zëri i instrumenteve muzikore – një kolorit i vërtet i jetës. Të gjitha dritaret e shtëpive shikonin në rrugë, anash nuk kishin dritare, pasi shtëpitë ishin të ngjitura njëra me tjetrën. Rashit Salijeviq, që kishte shtëpine te Shkolla Fillore ” Vuk Karaxhiq”, kishte orkestrën muzikore familjare me djem dhe nipa, disa i mëshonin trubës, disa harmonikës, e disa klaviaturës.

Rashiti kishte komponuar vallën e Gilanit me 1962, ndërsa me 1963 del singel pllaka e “Jugotonit” me këtë valle. Ai merrte pjesë me muzikë te popullsia serbe në ceremonitë e varrimeve, ndërsa Komuna e angazhonte në festat shtetërore. Rashit Salijeviq ishte trupgjatgjatë, i dobët (i hollë) me trup, me sheshir në kokë. Djemtë dhe nipat i binin muzikës ne Hotelin “Kristal” kur kendonte Arifja dhe Atenja. Sejda Ramadani ishte saksafonist i njohur, Jahja Arifi i binte harmonikës, Shukri Alishani, Nazim dhe Nexhat Agushi, Vehbia – i binin tarabukës; Muharrem Murtezi i binte klarinetit, Ramadani defit. Muzikant me përmasa më të mëdha ishte Mehmet Saqipi me kitarë dhe violinë. Mehmeti ishte i pari që e e solli kitarën në Gilan, ishte virtuoz i violinës, ishte aktiv në teatër. Ishte autor i shumë librave në gjuhën rome, vdiq në Suboticë. Fadil Saqipi ishte kitarist dhe këngëtar, kishte disa singla në shtëpinë diskografike “Jugoton”.

Ah Gilan, ah zaman, ah mëhallë e Masuricëve!

Në këtë mëhallë banonin romet. Përroska që kalonte përskaj kësaj mëhalle, ndonjëherë, i vërshonte shtëpitë. Bajram Haliti ishte gazetar i i emisioneve në gjuhën rome në Radio Gilan, autor i librave “AMICO ROMI”, botuar me 1988, (“The Roads of Roma”). Ai është edhe në antologjinë e poezisë botërore rome (“Anthology of gypsy ëiters”). Intelektualët e kësaj mëhalle formuan Shoqërinë Kulturore Artsitike “KHAM”, qe ishte mjaftë aktive në jetën kulturore të Gilanit. Kishin edhe trupën teatrore e cila kishte marr pjesë në festivalin e njohur teatror në Trebinje.

Jeta intelektuale e romëve fillon me Ramiz Ajvazin, i cili ishte mësues i gjuhës shqipe me 1953, kur drejtor shkolle ishte Tefik Jakupi, pastaj ishte zëvendësdrejtor i Shkollës Fillore “Vuk Karaxhiq”. Romët e kësaj mëhalle kishin edhe disa mjekë: Kemal Demirin – internistitin që punonte në Qendrën e Dializës në Gilan, Vasfije Arifoviq-Demiri, dermatologe, Suzana Ajvazi, vajza e Ramizit, specialiste e mjekësisë së punës.
Nga gjiri i kësaj mëhalle ishte edhe vajza tjetër e Ramiz Ajvazit, qe ishte inxhiniere e ndërtimtarisë, Demir Jashareviq – inxhinier në Industrinë e Baterive në Gjilan (IBGj). Kjo mëhallë ka formuar klubet futbollistike “Polet” dhe “Ternipe”. Nipi i Rashitit, Ymeri, ishte futbollist i jashtëzakonshëm..

Ah Gilan, ah zaman!

Si mund ta harroj Refikun që ishte vozitës i autobusit, kur isha unë student në Beograd ,me të cilin kisha udhëtuar shumë herë. Nipi i Elez Agushit u bë mjek, nusja e djalit, Drita, ishte aktiviste për të drejtat e romëve në Kosovë. Disa prej romëve punonin si punetorë fizikë në organizatat – ndërmarrjet e shumta të punës që vepronin atëherë në Gilan, ndërsa femrat punonin kryesisht pastruese. Ne këtë mëhallë vendoset djali i Ramiz dhe Islam Barutit. Dauti punonte në PTK, Kurteshi shkoi jashtë vendit. Disa romë ishin zjaerëfikes, si Musa, etj.

Kalova para disa dite nëpër mëhallat rome. Në dy rrugët qorre kishin mbetur gjithsej: 9 shtepi rome. Romët qendronin në rrugë, bisedonin, i njihja ata nga fëmijëria. Para disa ditesh vizitova një dasëm rome. Kënaqeshin, vallëzonin, thuajse fare nuk kanë brenga. Jeta vazhdon, brengat kurrë nuk ndalen, shikojmë përpara, me tha Muzaferi…

Jeta gjithmonë ka kohët e veta, ajo nuk fillon as nuk mbaron në një vit as me disa njerëz apo gjenerata! Sikur koha, edhe jeta ka ngjyrat e veta…!
/Në javën tjetër, pjesa e e tretë dhe fundit për romët e Gilanit, ata te parku dhe në Baqevinë/.

Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!
/Autor: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here