Home Kronikë / Shoqëri Jeta e tyre çdo ditë kishte ngjyra tjera! Karadak mëhalla – lagja...

Jeta e tyre çdo ditë kishte ngjyra tjera! Karadak mëhalla – lagja rome (3)

181
0
SHARE

Për ty! Jeta vazhdon, muzika nuk ndalet…!

Edhe pse jetonin në varfëri, bënin jetë dinamike, me plot dramaticitet, pothuaj një film që pasqyron në origjinalitet jetën e vërtet …

Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Në pjesën e tretë të rrëfimit për Karadak mëhallën – lagjen rome, dr. Shevqeti na sjell ngjarje interesante nga jeta dhe aktiviteti i romëve, i shtëpive të tyre, i veshjes, i festave, defileve në qytet, vallëzimeve, muzikës, këngës, punët e profesionet që kryenin…

Do të lexoni:

Kush i solli farmerkat e para në qytet? Çfarë profesione bënin romët e romet? Si u ngjanin defiletë e romeve të bukura në qytet minikarnevaleve braziliane? Pse shkollimi ishte pjesa më e dhimbshme e popullatës rome? Si duket lagja e tyre sot? Etj, etj…

3.

Lagja rome – Karadak mëhalla ishte e banuar me romë të ardhur nga Novobërda, Topanica, Muqivërca, Pogragja, Koretini, Bilaqi, por kishte edhe nga fshatrat tjerë. Pos profesioneve: muzikantë, kasapxhinjë, konopxhinjë, femrat punonin në organizatat shoqërore, si pastruese; meshkujt punonin si punëtorë të thjeshtë; disa ishin hamallxhinjë në qytet.

Në vitet e 80-ta meshkujt sillnin veshje nga Trieshta dhe Venediku i Italisë. Ata i sollën farmerkat e para në qytet. Shtëpitë duken si në favellat braziliane, me nga dy dhoma, pa oborr fare, ku dera e dhomës komunikonte direkt me sokakun. Shtëpitë ishin të mbuluara me qeremidhe, dyert e ngjyrosura me ngjyrë të kalter ose të kuqe. Në dhomat e tyre nuk kishe shtrojë fare, ose vetëm në një kënd; me një shporet të zi që tymoste. Familjet kishin plot fëmijë, të leckosur, zbathur, me një copë buke, me sytë që bebzat e tyre kërkonin diçka që as vet nuk e dinin!

“Kalova me 1 qershor në sokaqet e Karadak mëhallës, pashë disa fëmijë që luanin në dhomën e një shtëpie të rrënuar, ku kishte shumë mbeturina, ndërsa para Teatrit të qytetit, Komuna kishte organizuar festimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, që ishin veshur mirë, mbanin koncert, këndonin! Kjo krijoi te unë një pezm – se si në ditën e fëmijëve ndahen fëmijët, disa bëjnë jetë luksoze, disa të tjerë luajnë në zonën me mbeturina”, pasqyron doktori dy realitete që u ngjajnë “dy botëve”, e që nuk do të duhej të ishte pjesë e jetës…

Ah Gilan, ah zaman, ah Karadak mëhallë!

Në fillim të rrugës në anën e djathtë ishte kafeneja e “Babit”, ku shkonin bekritë e qytetit me zbrazë gota rakie dhe birra… Në anën e majtë gjendej puntoria e xha Arif Koznicës, që pastronte automobilat; kohë pas kohe mbante kapelen”Beretë franceze”. Aty te “Ledenica” e kishte kioskën Qenani, i cili kishte mësuar gjuhën rome në mënyrë perfekte.

Shkollimi i fëmijëve është pjesa më e dhimbshme e kësaj popullate. Të vetmit me shkollë ishin Rashi, djali i Nexhës që punonte në Bankkos, bashkëshortja e tij, Makfirja dhe vajza e Mijezinit, që punonin motra medicinale.

Ah Gilan, ah Karadak mëhallë!

Ti në vehte mbërthen me tepër vuajtje; në fytyrat e njerëzve sheh sëmundjet… Por, jeta e tyre çdo ditë kishte ngjyra tjera! Bënin jetë dinamike me plot dramaticitet, pothuaj një film që pasqyron në origjinalitet jetën e vërtet …

Defiletë e grave dhe vajzave rome në qytet, gjatë dasmave dhe synetive, ishin mini karnevale braziliane të qytetit. Vinin nga mëhalla e epërme në mehallën e poshtme pas Stacionit të Autobusëve, duke luajtur, përcjellur me muzikë që goditte shpirtin. Muzika e tyre përshkruante shpirtin e tyre, jetën e tyre. Vajzat dhe grratë me dimijat që vezullonin (vizillonin), shamijat me oja (lule të qëndisura) dhe lule në shami si vajzat spanjolle e që “ngritnin temperaturen” në qytet, thyenin monotoninë e qytetit. Në kinema kur luante ndonjë film indian, si “Bidai”, salla ishte e mbushur me popullsi rome.

Me 1950 kësaj lagjeje filluan t’i bashknagjitet edhe popullata shqiptare. Në vitet e 60-ta shtëpia e fundit ishte e Vesel Koretinit. Kështu lindi lagja “Dheu i Bardhë”.

Me 1971, rrugët ishin plot puse me ujë, balta ishte e zezë që ngjitej për çizme e këpucë si “tutkall”. Familja Orana në vitet ‘90 hapën marketin në këtë rrugë. Furra në këtë mëhallë ishte e njohur me pitalkat e Ramazanit, djali i xha Fuadit hapi një mini shitore.

Ah Gilan, ah Karadak mëhallë!

Kaloj shpesh në këtë lagje, shoh shtëpitë e rrënuara, disa të djeguara, disa të uzurpuara; shoh banorë të rinj, shumë banorë vendës janë shpërngulur në drejtime të ndryshme: Suedi, Gjermani, Bujanoc, Shkup… Pashë edhe inçizimin e këngës “Për ty!” me mizikantët e kësaj mëhalle. Jeta vzhdon, muzika nuk ndalet…

Gjurmët nuk shuhen, edhe po t’i mbulosh, përsëri mbesin nën gërmadha, në mendje në kujtime, dhe barten brez pas brezi përmes rrëfimesh…

Së shpejti vazhdimet për mëhallat tjera rome: te Stacioni i Autobusëve, te mëhalla e Poneshit, Baqevina – ku kanë jetuar romët ortodoks…

Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar! /Autor: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here