Home Kronikë / Shoqëri Karadak mëhalla – lagja rome – aty ku festat, muzika e gëzimet...

Karadak mëhalla – lagja rome – aty ku festat, muzika e gëzimet i jepnin kuptim jetës!

586
0
SHARE

Jeta plot kolorit dhe brengat e harruara…!
 
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Këtë herë, në pjesën e dytë të rrëfimit për Karadak mëhallën – lagjen rome, dr. Shevqeti na ka sjellur ngjarje, tregime e kujtime mbi pjesën e epërme të kësaj mëhalle: jetën e tyre, festat, muzikën, këngën, defiletë nëpër qytet, jehonën e valleve e këngëve të muzikantëve të spikatur romë…

Do të lexoni: Jetohej në shtëpi – kasolla por fëmijët kishin buzëqeshje! Si festohej Shëngjergji? Si defilonin qytetit dhe ditët i kthenin në festë me këngët dhe vallet e tyre? Si i bënin synetitë? Si mbushej rruga kryesore në lagjen rome me valle e këngë? Si i bashkangjiteshin shqiptarët, serbët, turqit muzikës e valleve rome, ndërsa shumë të tjerë përcillnin anash?
Si u bë në fakt muzika rome kulturë qytetare kryesore në qytet, me melodinë, ritmin…?
Si u bënë emra të njohur Nexha , Raba dhe Qelebija…? Kush ishin klarinetistët më të njohur të qytetit? Etj, etj…

2.
Si fëmijë shpesh kaloja mbi Atik mëhallë për t’i vizituar shtëpitë e ngjitura njëra me tjetrën në Karadak mëhallë. Shtëpitë përdhese, ndonjë dykatëshe, me materiale të tubuara nga mbeturinat, disa dyer me llamarinë, disa me dërrasa, që ishin të larguara njëra nga tjetra; kulmet e mbuluara me qeremidhe, dritaret me ngjyra te ndryshme, disa me xhama, disa të mbuluara (veshura) me gazeta ose me ndonjë masë plastike. Familjet rome kishin shumë fëmijë, me kushte të vështira, disa me lecka, disa zbathur, por fëmijët, megjithatë, kishin buzëqeshje. Banorët romë të Karadak mëhallës ishin nga Novobërda, Poneshi, Bilaqi, Bujanovci, Ternovci, Muqiverca, Topanica. Në fillim të mëhallës ishte shtëpia e Arif Koznicës, të cilën e kishte blerë nga Jusufi i Maiqajve, qe ishte shpërngulur në Turqi, me 1957.

Festat e tyre ishin përplot kolorit, i harronin brengat. Gjatë martesave me ditë zgjatte muzika; muzikantët: instrumentistë e këngëtarë ishin romë. Femra rome visheshin me rroba që vezullonin, bënin marshutë (xhiro-shëtitje) nëpër qytet deri te mëhalla e poshtme rome, pas Stacionit te Autobusëve. Rrugës vallëzonin, disponimi i tyre në kulm, muzika ecte pas valltareve. Lojën, zakonisht, e udhëqenin femrat, meshkujt shkonin pas me birra në dorë! Synetitë ishin kulmi i dasmës, femiu mbi fotele defilonte rrugëve me automobil, që në atë kohë ishte ndonjë “Fiat”, ndërsa fotelja ishte vendsour mbi automobil.

Ah Gilan, ah zaman! Ah Karadak mëhallë! Festimi i Shëngjergjit me 6 maj, në këtë mëhallë ishte festë masive, me plot origjinalitt e natyrshmëri. Rruga kryesore e mbushur me romë që luanin valle, “Gilanken”, “Çiqekun”, “Preshevken”. Altoparlantat bënin eko në tërë qytetin!. Thereshin edhat dhe kingjat (qengjat). Pjekeshin pleskavicat, mishi, sugjuku. Tërë Gilani vizitonte ato ditë Karadak mëhallën: shqiptarët, turqit, serbët – dilnin në ditë të Shëngjergjit të shikojnë festimin nga romët, disa i bashkangjiteshin lojës – vallëzimit, të tjerë përreth duartrokitnin. Shtëpitë ato ditë ishin të qëndisuara – stolisura me shelgje, me lule. Ishte traditë te romët dhe jo vetëm tek ata që ditën e Shëngjergjit fëmijët i pastronin herët në mëngjes, të visheshenin me rrobat më të mira e të dukeshin bukur.

Fëmijët e Karadak mëhallës dhe një pjesë të Çiflik mëhallës në ditet e nxeta shkonin me u la në lumin “Stanishorka”, te “guri i Shaipit”, siç i thoshin. Ishin të lumtur fëmijet, zëri i tyre ngritej, e jehu dëgjohej larg…. Dëgjohej shume herë te romët aksioma (thënia): ” NA NE BUTI, NA NE LLOVE, NA NE BUTI NA NE SAJGIJA” – S’KA PUNË, S’KA PARA – S’KA PARA NUK KA SHËRBIM! Ose, gjatë festave fjala: ” BATALLO – URIME”!

Kjo mëhallë Gilanit i ka dhënë shumë muzikantë, defegjike (daullgjike). Pa ta asnjë gilanas nuk ishte martuar. Trubës i mëshonin Ramadan Ramadani, Kurtesh Salihu, Ahmet Kurteshi. Ibishi e Salihu ishin klarinetistët e kërkuar të qytetit. Xhevati me harmonikë ishte maestro dhe Ahmet Isufi. Orhani ishte i njohur me xhymbysh dhe Musa Ajdini e Hashim Salihu me tarabuke, Ramadan Kurteshiu me tupan. Xhevati dhe Salihu ishin anëtarë të rregullt në hotelin “Kristal” kur këndonte solistja Arifja. Disa që kishin trubën i bashknagjitehsin edhe ceremonive mortore – varrimeve, disa ishin edhe pjesë e ekipit teatror të qytetit.

Ah Gilan, ah zaman! Ah Karadak mëhallë! Si mund të harohen: Nexha , Raba dhe Qelebija, që me defin e tyre përcillnin shume vajza në Gilan dhe fshatra! Si mund të bëhej një kanaxheqe pa muzikën e tyre; si mund të përcillej nusja prej shtëpie pa u ndier goditja e defit dhe zëri i Nexhës! Defi dhe veshja solemne e Nexhës qëndrojnë në oborin tim museum.

Ah Gilan, ah zaman! Ti në vehte mëshehe shumë tregime, shumë vuatje, shumë varfëri, por gëzime e momente të lumtura. Kujtimet ngadale po zbehen, jeta e re si përbindësh ose si nje uragan i pamëshirëshëm po ta fshinë të kaluarën…
Kështu ishte jeta dikur, në kohët kur ne nuk kishim gajlen e lajmeve e kush ka postue foto, kush ka shkue n ëdeti e kush po han drekë në restorante…Nuk na interesonte hiç jeta e tjetrit si individ, por na bashkonte hareja, gëzimi, ditët e festave, na bashkonte e gëzonte suksesi…

Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!
/Autor: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here