Home Kronikë / Shoqëri Kush ishte gjilanasi që punoi në bibliotekën e Kajros?! Si festuan maturantët...

Kush ishte gjilanasi që punoi në bibliotekën e Kajros?! Si festuan maturantët me 1973?

421
0
SHARE

Kujtimet nga lagja e kulturës, arsimit, rinisë… – Beglermëhalla!
/Pjesa e II/

Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë! Në Beglermëhallë kishte shumë gjallëri, jetë e njerëzillëk!

Kjo lagje ka lënë shumë gjurmë, shumë kujtime e rrëfime pa fund! Në këtë lagje janë zhvilluar shumë aktivitete, veprimtari…

Këtë herë po prezantojmë vazhdimin e dytë të pjesës së dytë të kujtimeve të dr. Shevqet Mehmetit, duke u përpjekur të ruajmë autenticitetin e asaj çfarë ka ndodhur dhe si është komunikuar me disa parashtesa ose prapashtesa e emra, të cilat kanë pasur përdorim në familjet e atëhershme dhe në jetën publike. Atëherë është thënë mëhallë, sot themi lagje, dhe nga kjo nuk ka asnjë të keqe, etj, etj.

Në vazhdim do të lexoni: Kush ishte gjilanasi që punoi në bibliotekën e Kajros në Egjipt dhe sa vite shërbeu atje? Ku ishte atëherë Tregu i Gjelbërt? Kur u ndërtua Shtëpia e Mallrave? Si tuboheshin fëmijët dhe të rinjtë te Shtëpia e Mallrave? Si dukej dikur ambulanca e qytetit? Si e festuan maturantët natën e maturës me 1973? Etj, etj…

II.2.
Në anën e majtë ishte shtëpia e Dragi Neshiqit që ishte drejtor shkolle; shtëpia e Xolkit, shtëpia e Qamil Begut, i cili kishte katër fëmijë, shtëpia e Dushko Rajçiqit – mësuesit që shkonte në shkollë me violinë.
Në drejtim të Tregut të Gjelbërt ishin desivojcët me mulla Tefikun, ndërsa djathtas banonte inxhe Rukie, e martuar për Servetin dhe kishin tre fëmijë, e vëlla i saj ishte Ali Jakupi, i cili kishte qenë drejtor i biblotekës në Kajro (Egjipt) në vitet 1933-1958. Në sokakun e tretë banonin Llozanët, Abdurrahmani që kishte djalë Selatinin, e që ia shitën shtëpinë profesorit Xhevat Ismajlit.
*
Me 1976 është ndërtuar Shtëpia e Mallrave, në cilën u punësuan shumë njerëz. Ky objekt ishte edhe vend për t’u furnizuar me artikuj të ndryshëm që nga ushqimet, teknika e bardhë, konfeksioni, biçikleta e motoçikleta, et. Në fillim në shkallët që lidhnin katin e parë me të dytin funksionte ashensori – shkallët me rrymë, si sot te marketi “Agmia”, e fëmijët e qytetit bënin disa “vozitje” në ashensor.
Në Shtëpinë e Mallrave, atëherë, janë furnizuar pothuaj gjithë rajoni i Anamoravës dhe më tej. Shtëpia e Mallrave ishte edh evendtakim i të rinjve dhe jo vetëm i këaj moshe. Aty në mbrëmje takosheshin për të kuvenduar tema të ndryshme të ditës – për jetën, sportin, panairet e qytetit, dashurinë…
Në vendin ku u ndërtua Shtëpia e Mallrave ishte Tregu i Gjelbërt, i cili nga aty u zhvendos në hapësirën ku është sot.
*
Me 1973 maturantët festuan natën e maturës në Shtëpinë e Armatës me pije freskuese joalkoolike dhe vallëzime. Prej asaj kohe kanë kaluar 45 vjet e ne shokët e asaj gjenerate rinore çdo vit takohemi.
*
Ambulanca me dërrasa në formën e barakës u mbyll me 1967. Dauti i Saliqavëve humbi djalin Samiun; Haki Karaçeva bënte tregeti, “Vitezi” ishte fëmi problematik. Baki Kufca punonte në konvikt, ndërsa Nexha Kufca punonte në Industrinë e Baterive në Gjilan (IBGJ). Përballë kufcalive ishte ndërtesa e oficerëve të Armatës Popullore, siç quhej atëherë. Para ndërtesës gjendeshin katër farkëtarër dhe shitorja e babait te dr.Xhevat Shkodrës. Në këtë lagje -Beglermëhallë banonte shoqja ime e klasës, Zijavere Morina, e cila herët vdiq. Në këtë mëhallë banonin vëllezërit – Shabani dhe Sadullahu të qerkezëve. Osman Muçibaba kishte hallen e martuar për babagjyshin tim, e kishte emrin Emine – kështu tregonte babai im Ramushi. Nga Todor Veleshani, një pjesë të shtëpisë e kishte blerë Ramiz Bllaca, i cili ishte sekretar shkolle në Gjimnazin e vjetër.
*
Ah Gjilan! Nga Beglermëhalla u shpërngulën familja e Suhbi begut në Shkup, pastaj ne Turqi, Tasim begu në Turqi, si edhe djemtë e Rauf begut – Jusufi, Galipi dhe vajza Bejazja. Në Turqi shkoi mulla Jusufi i Shkodriqëve me familje, me 1933, i cili ishte imam në Xhaminë e Madhe, e cila quhej Xhamia Shehzade. Në Turqi shkuan edhe disa familje Kufcali: Demushi i Sherif Kufcës, Makfirja, Bahrija dhe Ismali. Me 1994, shkoi në Stamboll Ramizja e Daut Saliqavës. Fëmijët e Qamil Begut u shpërngulën në Prishtinë, Vojo Trumpiqi shpërngulet në Jagodinë (Serbi), ndersa dr. Boci në Beograd e Todor Veleshani u shpërngul me bashkëshortën Vesnen në Beograd. Ky ishte tregtar i njohur deri në vitet 1950.
*
Në këtë lagje – në Beglermëhallë kanë lindur e kanë bërë emër me punën e tyre, me veprimtaritë e tyre shumë aktivistë kulture, arsimi, shëndetësie e sporti – mësues të dalluar, mjek të dalluar, sportistë të dalluar…

Fundi i vazhdimit të dytë të pjesës së dytë.

Në pjesën e tretë, që do të publikohet pas pak ditësh, do të shpalosen kujtimet të dr. Shevqetit nga jeta intelektuale e kësaj lagjeje.

/Autor: Dr. Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp (redaktoi): N.Buzuku/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here