Home Kronikë / Shoqëri Muhaxher mëhalla – dudat në oborre, legjenda e basenit, plepat, lumi Banja…  

Muhaxher mëhalla – dudat në oborre, legjenda e basenit, plepat, lumi Banja…  

137
0
SHARE

Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Ah Gilan – ah zaman! Ah Gjilan – kohë o kohë!

Në rrëfimin e radhës, të pestin dhe të fundit për këtë lagje të dr. Shevqetit do të lexoni:

Legjenda për basenin, lumin Banja, plepat si kujtim të një kohe, shtypshkronjën e qytetit, Gjimnazin, etj, etjj…  

5.

/Pjesa e pestë/

Në oborre kishte pemë, por pema kryesore ishe dudi. Disa duda ishin të zi, disa të bardhë. Ne fëmijët i donim dudat e bardhë, e femrat i duanin dudat e zi. Fëmijët e kësaj mëhallle zakonisht luanin në oborin e Gjimnazit të vjetër, ose të qendra e pylltarisë, ndërsa tokat i kishin në Gvranin 2.

Pas basenit ishte Gllama që qëndronte si kapele mbi këtë mëhallë. Lumi Banja kalonte përskaj kësaj mëhalle, e rrjedha e tij nëpër oborrin e xha Maksutit arrinte në Karadak mëhallë te mulliri i Fekovitëve. Muja dhe Qemali punonin në shtypshkronjën “Prosveta”; Islami i mulla Hysenit ishte gazetar në Radio Gilan; Ali Hajdari e zëvendësoi babain, Tefikun, në teqe, ishte mesimdhënësi Artit figurative në shkollën fillore “ Musa Zajmi”, pastaj i Gjuhes shqipe në shkollën fillore “Selami Hallaçi”.

Ah Gilan, ah Muhaxher mëhalle!

Baseni u ndal, teqen “Sadi” pas vitit 2000 e dogjën, filluan të na vjedhin kujtimet për këtë mëhallë. Disa vdiqën me kujtimet e veta, e disa ne fëmijët i përcillnim me tabut nëpër rrugën kryesore, duke i bartur në krah.

Çezmen afër Ali dynxherit e larguan. Halimi, Hamdiu, Shukriu dhe Raifi ishin bekritë e mëhallës. Këtyre i bashkangjitej Mustafa Pllanaliu dhe Rashiti. Gavrani filloi të ndertohej me 1973, tokat u pushtuan, livadhet u zhduken nga ndërtimet. Muhaxher mëhalla u bashkangjit me Gavranin, Gjimnazi u dogj me 28 tetor 1976.Te Banja ka mbetur ndonjë plep i kujtimeve dhe objekti i vjeter. Abedini i kësaj mëhalle si fëmi ishte shumë i lazdruar. Gjate shkollimit tim të mesëm në Gjimanzin e vjeter, Abedini për ta penguar mësimin në klasët përdhese, për parmakë lidhte dhitë ose gomarin.

Po jeton ende gojëdhëna se dyert e basenit do të hapen! Shaban Përlepnica kishte mbjellur oriz, por kishte dalë shavari (një lloj bime, bar i gjatë ngjyrë të gjelbër sikur fletët e preshit/purrinit/); zikri në teqen “Sadi” vazhdon. Ramabajët janë të rregullt në zikër, tyrbeja e Burnusus babës është zhdukur, rrugët u asfaltuan, u hapen shitore, kovaçi (teneqepunuesi)e ndali punën.

Në këndin përballë postës së vogël banonte Rade, që ia ka shitur shtëpine Bejtë Livoçit. Rade bashkëpunonte me pushtetin. Në vitet 1945-46 ata të kësaj mëhalle, që kishin luftuar në Kitkë, nuk kishin guxuar t’i vizitojnë familjet e veta.

Ah Muhaxher mëhalle, sa kujtime të thella e kronikë e pafundme mund të thuret pët ty!

Kujtimet për mëhallën pas Gjimnazit janë të lidhuara me shitoren ku punonte Isa Llashtica, pastaj Ramush Goli, që ishte pronë e kopernicëve. Kjo mëhallë dita-ditës mbushej me banorët e fshatrave të ndryshme, në radhë të parë të Gollakut.

Muhaxher mëhalla i la kujtimet, rrallë dikush më e quan me këtë emër, pasi u mbush me ardhacakë, që nuk e dijnë të kaluarën e kësaj mëhalle, që nuk kanë njohuri për basenin dhe shumë gjëra të tjera.

Vlerat nuk mund të harrohen, e djeshmja nuk mund të fshihet! Çdo histori e re i ka fillet mbi një histori pararendëse! Kush shtrembëron të djeshmen dhjetëfish do ta ketë të shtrembër të nesërmen!

/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/

/I përgatiti (redaktoi) për shtyp: N.Buzuku/

05.12.2018

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here