Home Kronikë / Shoqëri Nga hija e dudit, kafesë…, te kapixhikët, sokakët, aroma e hallvës dhe...

Nga hija e dudit, kafesë…, te kapixhikët, sokakët, aroma e hallvës dhe bukës së grurit…

608
0
SHARE

Gjurmë dhe kohë!Ah, gjurmët nuk harrohen…

Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Lagja Atik – Atik mëhalla, pjesa 4 dhe 5 

Përsëri i jemi rikthyer të kaluarës së qytetit tonë, jetës, ngjarjeve, zhvillimeve që ndodhën nëpër kohë e vite…

Është interesante se si vetëm një lagje qyteti, siç është Atik lagja, apo e njohur si Atik mëhalla, të ketë pasur aq shumë veprimtari, personalitete politike, të arsimit, kulturës, shkrimtarë, tregtarë e zejarë të njohur…

Në këtë rrëfim interesant që na sjell si gjithmonë eruditi dr.Shevqet Mehmeti, spikaten ngjarje e gjurmë që i dhanë vulë kohës e jetës…

Gjurmët vazhdojnë të jetojnë…, e kapixhikët, sokakët, aroma e hallvës dhe bukës që gatuhej nga gruri i sapo bluar…Etj, etj…

Pjesa IV.

Tregtarët, zejtarët, furra e bukës dhe simiteve, berberët, çezmet, shpërnguljet…

Filloj të shkruaj edhe sot për ty Atik mëhallë, por gjithnjë duke kujtuar jetën në gjirin tënd! Pulsi im po shpejtohet, tensioni po tregon ndryshime, mendimet fluturojnë prej një skaji në skajin tjetër, serotonina po ngritet, unë po valvitem në mes depresionit dhe vullkanit të emocioneve!
1.
Atik mëhallë, ti në gjirin tënd formove një melodi të jetës, falë banorëve që jetonin dhe jetojnë në gjirin tënd. Me 1886, Hysen Milla, tregtari nga Gjakova, që më vonë u bë pasha, ndërtoi mesxhidin e Balecit, me 1890 ndërtoi çezmet në lagjen e Varoshit për hajrat. Me 11 qershor 1911, me rastin e vizitës të sulltan Reshatit në Kosovë, suita e sulltanit me javerin Omer Naxhi i dhuroi Bejtulla begut 300 lira ari për të kryer xhaminë “Shehzade” në Gilan, që ishte pa kulm.
Hyrja e ushtrisë serbe në Gilan u bë shkas i shumë shpërnguljeve nga qyteti, me ç’rast gilanasit e shpërngulur në Uskedar të Stambollit me 1922, filluan të këndojnë në stilin Hixhaz si këngë vajtuese këngën: “Gilan shehri viran do të mbetesh!”. Hys Okllapi dhe Ramiz “Longi” i Maliqajve ishin tregtarë të njohur që bënin tregti me Selanikun, ndërsa Sabri LLabijani bënte tregti me jahudiun Rafaelon në Shkup, nga i cili blente dhe sillte në Gilan limontos. Ramiz “Longi ” litarët (konopin) e punuar nga romët e Karadak mëhallës të Gilnait i shiste në Selanik.
2.
Ah Atik mëhallë, ti Gilanit i ke dhënë shumë tregtarë dhe zanatlinjë, që ishin të njohur në tregun e Shkupit dhe Vranjës. Aziz Kosovica kishte hekurishtoren, xha Ismajli, babai i Hysenit – futbollistit, shiste tekstil; Shaban Llabjani dhe Abdulla Saliqava kishin shitoret ushqimore; Teka afër Shkollës së Muzikës shiste bukë, kifle dhe simite; Vehbiu dhe djali i vet, Emini, kishin shitore tekstili; Emini i mullasherifëve ishte edhe drejtor i NTSh “16 Nentori”, sikur edhe Demush Klaiqi më parë. Ramiz Basho dhe djemtë: Kadiri dhe Muharremi, ishin tregtarë të njohur të veshmbathjeve, çizmeve, opingave, që furnizoheshin nga Piroti.
Kjo mëhallë kishte berberë, jorganxhinj, Jakup “topallin” – abaxhiun. Ne vitet 1945-1947, Atik mëhalla përjetoi trauma të mëdha. U vra Sabiti i Mustafasë, Haqif Tetova, që kishte shtëpinë përballë Atik xhamisë; u vranë tre vëllezër të Hamdi shehëve në Makresh, u vra Halimi i Ibrahim Oranës, Makifala e Faik Okllapi dhe shumë të tjerë. U hapën plagët e mëhallës, sikur në vitin 1912. Viti 1912 ishte vit i shpërnguljeve të para kur shkoi Rexhep Agazade, i lindur me 1891, shkoi mulla Xhema me 1929. Pas vitit 1945 pushteti u uzurpoi banorëve të kësaj mëhalle shtëpitë, dyqanet, tokat. Filluan keqtrajtimet, dhembjet shtoheshin, rritej trysnia, filloi shpërngulja e parë pas vitit 1945, që mbërriti kulmin në vitet 1957-1960.
U shpëngulën 84 familje nga kjo mëhallë. Lagja humbi lëvizjet e mimikës, mbeti pa emocione, pasi ato ishin topitur, njerëzit nuk dinin buzëqeshje. Makifales iu morën dyqanet përballë muzeut të sotshëm; Halil Ibrahimi, që kishte hapur barnatoren e parë në Kosovë me 1908 iku, axha Hajredini, që ishte pronar i objektit të Shkollës se Muzikës, me 7 vajza iku me 1957 në Stamboll, pasi ia uzurpuan shtëpinë. Ishte një vjedhje e madhe e pronës private, të cilat u kthyen në prona të shtetit. Agushagëve në vitet e 60 iu uzurpua toka për të ndërtuar Shkollën Ekonomike, në fund të viteve të 70-ta për ndërtimin e konviktit dhe Stadiumit, poashtu, kësaj familjeje iu uzurupua toka, ndërsa në fund të 72-s, edhe për ndërtimin e Gjimnazit.
Në periudhën 1957-1960 ishte vala e parë, në vitet 1967-1970 ishte vala e dytë e shpërnguljes. Atik mëhalla filloi të zbrazej, zanatet filluan të fiken, dhembjet shtoheshin, adrenalina rritej, buzëqeshjet u bënë të ftohta.
3.
Ah Gilan, Ah zaman, ah Atik mëhallë! Po duhet të ndalem të shkruaj për këtë problem, se nuk po mundem të qetësohem! Kur kujtoj ata para fytyrës time paraqitet babai im që kishte shoqëri me familjet e shpënguluara… Duart mbi tastaturë nuk po punojnë! Do të ndalem! Un Unë kam dëshirë të shkruaj për gjëra te bukura, për luhatjen e kapixhikave, për kafetë nën hijën e dudit, për erën e hallvës në ditët e mëdha të fesë islame, për Fatimin e Medinagëve që na kënaqte shpirtin me këngën “Alishim”; për defin e Qelebisë që nxiste nënat dhe motrat tona ta lujanë “çiçekun”, për pogaçat e gatuara nga mielli i bluar në mullirin e Nobërdalive.
Më falni, kanë mbetur shumë emra të shpërngulurve pa i cekur, ata janë në regjistrin tim: nga Gilani 504 familje dhe 35 individë – të rinjë, intelektualë me fakultete të kryera në Turqi, që erdhën me shpresë në Gilan, u demoralizuan dhe u kthyen atje ku kanë studiuar. Ndaluni duart e mia, ndaluni qeliza nervore, mos më shkaktoni mua dhembje…

Pjesa V.

 

Shkollat…, mësimdhënësit, veteranët e arsimit, gazetarët, shkrimtarët, jeta kulturore – teatrore…

1.
Atik mëhallë – ti shtriheshe në të dyja anët e lumit Banja, deri te brigjet e anës së djathtë të lumit Dobrusha, deri në Karadak mëhallë dhe Muhaxhirë mëhallë, Gilanit nuk i fale vetëm tregtarë të njohur, zanatlinjë, nuk i dhe vetëm shtëpitë më të bukura të qytetit që kishin divanhane! Ti i dhe edhe njerez të mëdhenjë në arsim dhe kulturë. Me 1898, në shkollën reformuese “IPTADIJE” kishe 320 nxënës në disa lokacione me mësimdhënësin hafiz /mësues/Halim efendiun që kishte 103 nxënës, Abdulhalim eendiun me 96, Abdulfetah, Rexhep, Fazli dhe Bajram efendiun. Ti, në kuadër të xhamisë Atik, kishe edhe medresenë me Abdurrahim efendiun, Haki efendiun dhe Malo Becin, ku arsimin e kishin kryer mulla Feridi dhe Reshat Shaqiri,të cilët ishin mësuesit e mi në shkollën fillore “Musa Zajmi”. Në mes dy luftrave, në objektin e gjimnazit të vjetër ishte shkolla qytetare, ku mësimi zhvillohej në gjuhen serbe, ku nxënëse me 1933 ishte Nazmije Ahmetoviq me sukses të shkëlqyeshëm. Me 1943, nxënëse të shkollës ishin Meliha Maksut dhe Kevsere Mahmut. Me 1945, objekti i gjimnazit ishte kazermë ushtarake, ndersa me 1947 hapet gjimnazi i ulët me drejtor Mulla Ferid Berishën, ku nxënëës në këtë shkollë nga Atik mëhalla ishin NazmI, Sherif, Hajdar, Jahja Klaiqi, Mehmet Ukshini nga Makreshi, i cili banonte në këtë mëhallë, Adnan Ibrahim Nobërdaliu dhe Hasan Ymeri, djali i xha Kapllanit. Me 1953, drejtor ishte mulla Tefiku, ndërsa mësimdhënës i gjuhës shqipe ishte Ramiz Ajvazi, rom. Me 1969, hapet drejtimi shkencor pranë gjimnazit, ndërsa me 1972/1973 ishte gjenerata e fundit në këtë objekt. Kishte 10 paralele, drejtor i fundit Vllada Cvetanoviq, ndihmësdrejtor ishte Rashit Gashi. Gjimnazi i vjetër është djegur me 1976, e me te fundoset një e kaluar e bujshme e kësaj shkolle, që kishte në jetën e vet shumë destinacione. Me 30 qershor 2018 do te takohemi gjenerata e vitit 1972/1973, me profesorin Ferat Rexhepin, me rastin 45 vjetorit.
2.
Ah Gilan, ah zaman! Me 1958 ndërtohet shkolla ekonomike “Dragi Popoviq”, e cila me 1978 kishte 28 paralele , 845 nxënës, sipërfaqe 2100 metra katrorë dhe sallë sportive. Me 1964 ndërtohet Shkolla Normale “Skënderbeu”, me 1929 metra katrorë, ku drejtor ishte Lazar Stevanoviq, ku u formua edhe orkestri i parë i mandolinave dhe përgatiteshin mësimdhënësit profesionistë në këtë lëmi. Me 1973 hapet Gjimnazi i ri “Zenel Hajdini”.
Ti Atik mëhallë, Gjilanit i ke dhënë veteranët e arsimit: Gani Gashin, Fehmi Salihun, Osmanin, Ylfete Okllapin, Xhylije Bajramin, Hysein Maksut, Hasan Ymerin, Hasim Huzeir, Ilmije Ramadani-Bejta. Pastaj, i ke dhënë plejaden e dytë: Ihsane Oranën, profesoreshën time të matematikës, Sadik Klaiqin, Mevlyde Orana, Haxhere Bunjakun, Nerimane Maksutin, Shaip, Miradije dhe Agim Ismailin, Burhan Salihun, Hazir Korçën. Ti i ke dhënë inxhinierë të njohur, si: Halit Maliqin, Besim Ahmetin, Veton Oranën.
Ah Gilan, ah zaman! Si mund të harroj veteranin e arsimit, pionierin e arsimit gilanas, aktivistin e njohur të kulturës Ali Buhiqin, i cili me Isa Gash ishin në çdo dramë të Shoqates kulturore “Drita” dhe “Yeni Hayat”. Ata ishin aktorë dhe luajtën role në dramën “Gjaku vlon” me 16 nëntor 1954. Jakup “topalli” – abaxiu kishte qepur kostumet në dramat e para me 1954. Ali Buhiqi ishte edhe një ndër organizatorët e shoqatës gilanase në Stamboll të formuar me 1997. Kryetar i kësaj shoqate ishte edhe Musa Yayginsoy, qe ishte nga Atik mëhalla.
Atik…ti e ke dhënë edhe gazetarë të njohur si Bejtë Nobërdaliun, Rexhep Hajrullahun dhe Nexhmedin Ymerin. Nga gjiri yt në jetën politike u avansua Bejtë Nobërdaliu si konzul, Zijadin Nobërdaliu, Rexhep Hajrullahu, Demush Klaiqi.
3.
A mund të kalohet jeta e Atik mëhallës pa përmendur Musa Ramadanin, i lindur me 21 maj 1944, autorin e shumë veprave, eseve, kritikave letrare, autorin e romanit “Ligatina”, ku e përshkruan shpirtin e Gilanit. Ky roman ishte edhe pjesë teatrore e qytetit. Një kolos tjetër, poashtu, i lindur me 1945 ne sokakun “Pishtol” të Atik mëhalles është Beqir Musliu, i cili i kishte prindërit nga Livoçi, që është autor i poezive, veprave, dramave të shumta. Autor i “Vegullise”, “Mbledhësit e purpurit”, drames ” Shtrigani i Gjel Hanit”. Poeti i përkthyer në shumë gjuhë. Së fundi u takova me te në restoranin “Apollonia”, pastaj u përshendet nga ne me 24 qershor 1996.

Ah Atik mëhallë! Gjurmova me vite ku po të flen shpirti yt! Ti kishe plot kthina dhe nuk munda të futem në të gjitha, pasi disa labirinthe kishin qenë të mbyllura me vdekjen e banorëve tuaj. Atëherë isha fëmi t’i hapja, por ato u mbyllën më vonë.
Kur rrënohen gjurmët fizike, ato që mund të shihen e të preken, atëherë ato mbeten në kujtesë dhe nuk shuhen kurrë! Gjithmonë dikush do të rrëfejë për të djeshmen, për gjurmët, sepse nuk i mbulojnë dot as me beton as me gënjeshtra të vërtetat e kohës, gjurmët që janë skalitur në kujtesën e njerëzve dhe do të jetojnë në dokumente dhe rrëfime autentike…

Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!

/Autor: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here