Home Kronikë / Shoqëri Romët e qytetit të Gjilanit, zejet që ushtronin, punët në ndërmarrjet shoqërore,...

Romët e qytetit të Gjilanit, zejet që ushtronin, punët në ndërmarrjet shoqërore, jeta e tyre…

185
0
SHARE

Romët – artistë të zejeve…

Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

Në vazhdimin e tretë për komunitetin rom në qytetin e Gjilanit, dr. Shevqeti sjell rrëfime interesante, ndërsa këtë herë ka ndërtuar një kronikë të shkëlqyeshme, duke përshkruar jetën dhe punën e romëve në tri lagje, apo siç i quanin romët, mëhalla.

Do të lexoni: Cilat ishin këto tri lagje rome, ku shtriheshin ato? Cilat ishin zejet që ushtronin ata në shtëpitë e tyre? Cilën organizatë shoqërore punuese, në fakt, e themeluan romët në saje të profesionit që zotëronin?Çfarë lloje lulesh vendosnin në ballkonet e shtëpive? Kush ishte lustraxhiu i njohur? Pse janë tërhequr tani fëmijët romë nga parku dhe loja…? Etj, etj…

3.
Mëhalla e Kovaqëve – kjo lagje është qiajtur kështu pasi romët këtu merresin me zejen farkatarisë

Aty te parku i qytetit, në sokakun e dytë që sot mban emrin “Xhemal Mustafa”, gjendet mëhalla e njohur me emrin “mëhalla e Kovaqëve”, ku jetonin familjet rome dhe disa familje serbe. Në fillim ishte objekti i parë i bibliotekës së qytetit që kishte filluar punën me 1937, që e shkatërruan si objekt me 2016. Në këtë mëhallë rome jetonin familjet e Ramiqëve, Agushëve dhe Jashareviqëve.

Tefik Ramiqi ishte automekanik i njohur në “Kosovatrans”, ndërsa Rexhep Abazi kryemjeshtër në Kombinatin e Duhanit “Boris Kidriq”, Xhemal Rexha ishte armirues. Shumë prej këtyre romëve formuan organizatën punuese “Metalac” ,që, më vonë, quhet “Gosha”, pasi profesioni primar i tyre ishte farkataria. Kështu ishte Muharrem Ramiqi, Xhemil dhe Asllan Agushi. Shaqa punonte me femijët: Nijaziun dhe Sherifin.
Kur kaloja nëpër sokakun e kovaqëve, shikoja romët dhe romet si qendronin në banka (tavolina) dhe shkëmbe (karrige me tri këmbë), duke bërë muhabet, duke pirë kafe. Ky sokak nuk kishte asnjë muzikant. Shtëpitë ishin me një standart më të lartë se në lagjet tjera rome. shikoja si i kishin zbukuruar ballkonet me lule, ku dominonin begonjet, karafilat dhe sardojat. Disa shtëpi kishin edhe lule kadife. Asnjë shtëpi nuk kishte sipërfaqe më të madhe se 2 arë. Jeta e tyre ishte e qetë. Kanë kontribuar shumë në mirëmbatjen e fabrikave, në puntoritë e tyre si farkatar. Demiri ishte inxhinier në fabrikën e baterive.

Mëhalla e Ponesit – kjo lagje rome është quajtur kështu pasi ishin të ardhur nga Poneshi...

Në fund te parkut gjendej mëhalla e Poneshit. Kjo mëhallë fillonte me shtëpinë e Cane Pallamarit, i cili kishte hanin në kënd të rrugës, në anën e djathtë. Romët e kësaj mëhalle kryesisht ishin nga Poneshi, kishte edhe disa nga Zhegra. Milaim Jajiqi dhe Rama Demiri ishin zjarrëfikës, Milaimi ishte komandant i ekipit të zjarrëfiksëve. Në këtë rrugë një kohë ka jetuar Lata, lustraxhiu i njohur i këpucëve, ndërsa Sylejmani dhe Milaimi që ishin vëllezër ishin nga Zhegra. Milaimi kujdesej për nxemjen qendrore në Kombinatin e Tekstilit “Integj”, Asllan Jajiqi ishte punëtor në shkollë.
Mbi shtëpitë rome ishin shtëpitë e familjeve serbe. Kjo rrugë vazhdonte në drejtim të Varoshit, ku, në këtë sokak shtëpinë e kishin Trumpiqët, ndërsa te këndi ishin Zubiqët.

Baqevina – kjo lagje quhej sipas vendit që mbante këtë emër.

Rruga e Kronit në fund kishte pjesën e qytetit të njohur me emrin “Baqevina”.
Në Baqevinë banonin familjet serbe dhe familjet rome me konfesion ortodoks. Ne qytetarët këta i quanim “Gabel”. As romët musliman nuk shoqëroheshin me këtë grup romësh. Zeja e tyre ishte kallajxhinjë. Kur kalonin nëpër rrugët e qytetit duke bertitur “tepsija, kusija, kush ka me kallait” ne frikësoheshim, iknim në shtëpi, duke mbyllur derën, pasi ishte përhapur lajmi se këta mund të na “kindnapojnë”. Në fakt, ashtu nuk kishte ndodhur në fëmijërinë time. Bashkëpunonin me Todor kazanxhiun dhe djalin e tij, Çedën.

Para vitit 1999, disi u larguan romët ortodoks, poashtu u larguan edhe romët nga këto dy mëhalla, mbetën dy-tre shtëpi. Milami Jajiqi u pensionua, kishte probleme me zemër dhe frymarrje.
Gjithnjë, kur kalonte në qytet, ose takoheshim, derisa banoja në ndërtesën pas zjarrëfiksëve me pyette për familjen, më pyette për gilanasit e vjetër në mëhallë.

Jeta rome në këtë mëhallë fillon te zbëhet, më romët e kësaj mëhalle nuk po dalin të presin mbrëmjen në parkun e qytetit, nuk i ke as në mëngjes fëmijët romë që luanin nën drunjët e parkut e që bënin flladin… Jeta e tyre ndryshoi, në rrugë, ndonjëherë, takoj Hajrijen, motrën e inxhinier Demirit, bisedojmë, dikur ishte bukuroshe e respektueshme në qytet.

Ah Gilan, ah zaman! Sa shumë kujtime fshehen në gjurmët tuaja!

Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!
/Autor dhe fotot: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here