Home Kulturë/Arsim Arti kulmor i piktorit Valla – imagjinata shndërrohet në estetikë!

Arti kulmor i piktorit Valla – imagjinata shndërrohet në estetikë!

128
0
SHARE

Estetikja e femrës në ngjyrat e pikturës – portreti që shpërfaq kryeveprën pikturale të Esat Vallës!

I tillë është edhe portreti i “Hasjanës…”, që në gjuhën muzikore ka ngjashmëri me pianon, ndërsa në pikturë me valët e detit. Ky lloj arti, që të sjell ngjyrat afër detit, është mjeshtri e rallë e treguar si shkathtësi përsonale e profesionale.

Shkruan: Jeton Rexhepi

5.

(“Hasjanja me fytyrë të Mona Lizës” – 1984, vaj në dru).

Në zhanrin e portreteve, Mona Liza është njëra ndër portretet më të njohura në botë në fushën e arteve pamore. Inspirimi i akademik Esat Vallës në fokusimin e një ideje të tillë, ku imagjinata shndërrohet në estetikë, duke e veshur atë me kostume tradicionale të veshjeve tona. Ky portret konsiderohet si njëra ndër kryeveprat e profesor Vallës në pikturë. Kjo ka sfond të hirit dhe të bardhë, pastaj e veshur me kostume të Hasit, që është mjaft karakteristike edhe për pjesë të tjera të vendit tonë. Një kapërcim i realës në butësinë e gjuhës figurative, që portreti i saj edhe në version tjetër të madhështisë, siç e ka Xhakonda (1503-1506 ), apo edhe “Kontesha Hansonwill” e Zhan Ogyst Domenik Anngre (1780-1867), ose edhe njëra ndër portretet më të njohura në trojet shqiptare ‘’Motra Tone ‘’ të Kolë Indromenos (1860-1939), gërsheton të bukurën përmes ngjyrave…
Piktori Esat Valla, si krijues emblematik, mund të jetë njëri ndër të rrallët në fushën e artit, i cili portretet e aplikuara apo të huazuara i shndërron në identitet komëtar, duke sjellë Mona Lizën si fytyrë të bukur e të befasuar si në kohën e Rilindjës Kombëtare, që qetësia e shpirtit të jetë e kontrolluar nga pamja, që kjo pamje të mos jetë e zymtë dhe e trishtuar, që portreti të duket nga qendra. I tillë është edhe portreti i “Hasjanës…”, që në gjuhën muzikore ka ngjashmëri me pianon, ndërsa në pikturë me valët e detit. Ky lloj arti, që të sjell ngjyrat afër detit, është mjeshtri e rallë e treguar si shkathtësi përsonale e profesionale.
Gërshetimi i toneve me të kuqen, të gjelbërtën dhe të bardhën, jashtë objektivit, sintetizon të gjithë emocionin që ky portret jep (ofron) tek publiku. Bukuria në veprim e mund ta shtojë shijën dhe t’i shndërrojë gjërat e vogla në gjykim, dhe që më pastaj kjo kthehet në edukim.
Të mësohemi për të parë gjëra të bukura në pikturë, dhe t’i përjetojmë njëlloj ato, jam i bindur që Mona Liza e piktorit Valla është e ndriçuar sa edhe vetë piktura e tij sureale në pëlhurë.
Sa herë e shikojmë pikturën e Vallës na duket se e ahohim për herën e parë dhe, ndodh kështu, për shkak të tematikës, origjinalitetit, kompozicionit kohor e hapësinor dhe harmonisë së ngjyrave…
E, në fund, në vend të çfarëdo konkludimi, secila pikturë e profesor Esat J. Vallës është një gërshetim i reales me imagjinativën, duke na dhënë jetën në tërë madhështinë e saj, me të bukurën e dramatikën, duke i rikthyer frymën e gjallërinë. Kështu që, pikturat e Vallës, veçmas këto që i prezantuam në pesë vazhdime, paraqesin kryeveprat pikturale me përmasa të dimensionit artistik elitar.

Fund i shkrimit në pesë vazhdime të portretit krijues të piktorit emblematik – Esat J. Valla.

Duke filluar nga 1 maji ju prezantojmë piktorin gjilanas Ramadan Arifi…

/Autori  i shkrimeve është doktorant në historinë e artit, profesor në Shkollën e Mesme të Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan/ E përgatiti për shtyp – redaktoi: Nexhat Buzuku/

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here