Home Kulturë/Arsim Pa e tejkaluar krizën e sistemit arsimor nuk mund të matemi në...

Pa e tejkaluar krizën e sistemit arsimor nuk mund të matemi në teste!

4718
0
SHARE

Ndryshimi duhet të nis që nga tekstet shkollore…!

Hapësirat e mjaftueshme shkollore, tekstet mësimore, pagat dhe stimulimi i mësimdhënësve që arrijnë suksese të dalluara me nxënësit e tyre…, janë kushtet që përcaktojnë shkallën e grafikonit të cilësisë në arsim.

Shkruan: Murat Mustafa

Që nga paslufta kemi dëgjuar të gjithë kryeministrat dhe ministrat e arsimit, qoftë në marrjen e mandateve, por edhe në fillim të vitit shkollor, se ky vit do të jetë viti i cilësisë në arsim. Edhe këta të tashmit, kanë marr yrysh me deklarata për testin PISA dhe, me premtimin, se arsimi do të jetë prioritet, e në anën tjetër na joshin me “lëmoshë”, 15.40 euro rritje! Atëherë, që të mos themi veç llafe për cilësi dhe pjesëmarrje në vlerësimin ndërkombëtar PISA, duhet të mënjanohen shumë probleme: infrastruktura shkollore, siguria , rregulloret e ndryshme nga drejtoritë komunale, mungesat, tekstet shkollore, paisjet digjitale e shumë probleme të tjera. Vetëm pas eliminimit të problemeve që janë duke e sfiduar dhe mbajtur peng arsimin, mund të flitet për testin PISA.
Testi PISA nuk është, aspak, vlerësim real. Këtë e kanë dëshmuar edhe ekspertët ndërkombëtar të arsimit. Se sa është me rëndësi testi PISA, mjafton me shikue se sa shtete marrin pjesë në të?! Nga 193 shtete të botës, anëtare të OKB-së (pa Kosovën,Vatikanin dhe Taivanin), kanë marr pjesë vetëm 72 shtete. Pse mbi 60% e shteteve të botës nuk marrin pjesë?! Pse disa shtete kanë marr pjesë, por me të marr rezultatin e dobët janë tërhequr nga ky test?! E Kosova?! Ne marrim pjesë, sepse gjithçka e kemi “përmirësuar”!
Disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sistemi arsimor në Kosovë!
Tekstet kanë shumë probleme dhe janë të lodhshme, aspak tërheqëse për nxënësit e sistemit 9- vjeçar. Fatkeqësia është se këto probleme nuk ndeshen vetëm nga nxënësit, por edhe nga ne mësimdhënësit. Ka raste kur në një tekst shkruan diçka tjetër e në tekstin tjetër diçka tjetër! Pra, qasje divergjente në tematika të njëjta e libra të klasave të njëjta! Përkthime aspak cilësore, histori e shtrembëruar, gjuhe e rëndë dhe jologjike (as standarde – as toskërishte e as gegërishte), gabime sintaksore e teknike që shkaktojnë paqartësi dhe deformojnë kuptimin dhe porosinë, gabime shkencore, sasia e madhe e informacionit deri në raskapitje, jo saktësi, pa gjykime konkrete e pa konkludime, etj! Ka materje që është e thatë, që nuk ju hyn fare në funksion nxënësve; ka edhe të tilla përmbajtje që nuk kuptohen, janë fare të pakapshme!
Vërtetë, këto tekste janë të mërzitshme, të ngarkuara, të pakapshme, të përsëritshme, por edhe me gabime dhe monotone. Nxënësit tanë, jo rrallë herë, humbin vëmendjen, nuk logjikojnë gjatë kohës së mësimxënies, nuk janë të përqëndruar për shkak të këtyre teksteve.
Pra, me këto tekste kemi marr pjesë dhe prap do të marrim rezultatin e njëjtë, ngase tekstet (librat në të cilët mësojnë nxënësit dhe i përdorin mësimdhënësit) nuk janë të përshtatshme për këtë lloj testi.
Tjetër, për të pasur arsim cilësor duhet të ketë hapësira të mjaftueshme shkollore, që procesi edukativo- arsimor të zhvillohet vetëm në një ndërrim (mësimi gjithëditor). Në këtë mënyrë do të krijohej mundësia që bashkëpunimi profesional në mes të mësimdhënësve të jetë më i mirë, ndërsa do të kishte kohë të duhur për të punuar me nxënësit.
Pastaj, të mirat materiale (pagat) e punëtorëve të arsimit duhet të jenë më të mira, që mësimdhënësi mos të mendoj edhe për ndonjë punë tjetër. Në këtë kontekst, oferta e sindikatës ishte jashtëzakonisht e mirë.
Nëse realizohen këto, kam besim të madh që do të ketë rezultate shumëherë më të mira në arsim.
E, pas plotësimit të kushteve që u përvijuan më lart, jam, plotësisht, i pajtimit për llogaridhënie, por pa përjashtuar edhe stimulimin e mësimdhënësve që japin rezultate me nxënësit e tyre.
Pas rezultatit të testit, sigurisht, meritat për suksese do t’i merr MAShT-i, ndërsa, nëse dalim keq, fajtorë janë mësimdhënësit! Për sukses, eventual, ju përgëzojmë, por fajtorë mos na quani, sepse ne nuk e bartim këtë peshë faji. Fajtorët për rezultat të dobët në këtë vlerësim ndërkombëtar janë ata që i ceka më lartë.
Sistemi arsimor është bërë si ato rrobat që janë të grisura nga tē gjitha anët, e ku nuk mund të intervenosh askund për me i “harrnu”. Pra, ne pretendojmë që në testin e ardhshëm të PISA-s të dalim mirë, por po harrojmë që është i njëjti sistem që na ka renditur në fund të shteteve pjesëmarrëse.
Nëse duam të dalim mirë në këtë vlerësim ndërkombëtar, ky sistem duhet të ndryshohet rrënjësisht. E, e deri atëherë, edhe për një kohë, mos të marrim pjesë. Pra, deri sa të vërehen rezultatet e para të sistemit të ri arsimor!

(Autori është mësimdhënës lëndor për Gjeografi në ShFMU “Rexhep Elmazi” në Gjilan)
 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here