Home Kulturë/Arsim Portreti krijues i piktorit akademik, Rexhep Ferrit – artist me stil unik...

Portreti krijues i piktorit akademik, Rexhep Ferrit – artist me stil unik në artet shqiptare!

363
0
SHARE

Një muze gjigant për artistin e madh të artit piktural!

/Në ditëlindjen e 81 të piktorit grandioz, akademik Rexhep Ferrit/

Piktori i nivelit gjenial dhe shumëdimensional, siç është Rexhep Ferri, përcepton përtej visualitetit, përej sendeve, ai depërton në thellësinë e tyre, dhe nga atje si prej miniere përpunon mendimin filozofik dhe e dritëson në artin piktural…
Ferri, artisti që mahniti me vlerat origjinale përtej kufijve të gjeografisë nacionale, u vlerësua lart në Paris, Venecia, Sarajevë, Beograd, Novi Sad, Nish…

Njeriu me 1500 piktura, mbi 2000 vizatime, 300 grafika…, çfarë mund të thuhet për këtë erudit të artit, për një maestro të pikturës, i cili preku majat e artit botëror për nga vlera, për nga origjinaliteti, për nga mesazhi, për nga thellësia e mendimit filozofiko-estetik që ngërthen krijimtaria e tij, vepra e tij autoktone, moderne, civilizuese, me premisa universale… /Nexhat Buzuku/

Ferri përtej gjenialitetit në pikturë, që transformon thjeshtësinë shpirtërore me vija, figura, hapa, koka – është një krijues që gjithmonë ka realizuar artin e instiktit intelektual e akademik në fushën e Arteve Pamore.

Vepra e ferrit pasqyron realitetin e popullit të Kosovës, të gjitha tematikat burojnë nga romanet, nga ajo bibliotekë e pasionit për të lexuar, e modernizmi në letërsi dhe pikturë autorin e shfaqë në dimension tjetër të civilizimit kulturor e artistik.

Shkruan: Jeton REXHEPI

1.

U lind me 10 tetor 1937 në Kukës, Shqipëri. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje. Shkollën e Mesme të Arteve Aplikative në Pejë, në vitin 1959. Akademinë e Arteve Figurative, drejtimi i pikturës monumentale e mbaroi në vitin 1966 në klasën e profesor Rajko Nikoliq. Studimet pasuniveristare i përfundoi te i njëjti profesor në Beograd, në vitin 1970. Bashkëthemelues i disa institucioneve të rëndësishme në Kosovë si: Fakulteti i Arteve dhe Galeria e Arteve të Kosovës në Prishtinë.

Fushëveprimtaria e akademik Ferrit është gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale në fushën e arteve pamore. Është përfaqësues i periudhës së artit modern që përfaqëson frymën kubistike të pikturës në Kosovë së bashku me përfaqësues të tjerë të kesaj fryme arti. Ai është përfaqësues kryesor i artit kubistik në Kosovë.
Fillimet e ekspozitave të para vetanake të Ferrit datojnë nga viti 1967, në Prsihtinë, pastaj vazhduan një seri ekspozitash në Venecia të Italisë, në Beograd me 1973 dhe 1976, në Paris në vitin 1979, në Novi Sad me 1980, në Nish me 1982, në Sarajevë me 1989,etj. Akademik Ferri në fillimet e krijimtarisë artistike është frymzuar nga Muslim Mulliqi (1934 -1998 ),Rajko Nikoliq (1926-1991), Pablo Picasso (1881-1973), Juan Gris (1887 – 1927), Fernand Leger (1881 – 1955), Jacques Villon (1875 – 1963). Përveç tematikave në pikturë, ai rëndësi të veçantë i kushtoi edhe përjetimit të brendshëm si funksion i rëndësishmë i realizimit në pikturat e tij. Figurinat e vajzave të realizuara në vazhdimësi janë motivuar nga arti egjiptian para 3500 para erës sonë; është një përafrim i formave të kokave të vajzave në pikturat e piktorit Ferri. Ndërsa, te figurat e meshkujve, ato janë ndikuar nga arti i Pikasos. Shndërrimi i artit të pikturës në një stil unik e bën Ferrin njërin ndër artistët më të fuqishëm dhe më të gjurmuar në artet shqiptare.

Ferri i takon gjeneratës së parë të krijuesve në Kosovë dhe lirisht mund të quhet si përfaqësues i artit të “Rilindjes në Kosovë”. Nëse Italia kishte Leonardon apo Mikelanxhelon ne e kemi Mulliqin e Ferrin, ose edhe të tjerët që janë pjesë e “Rilindjes Kombëtare në Artet Pamore në Kosovë”. Ferri përtej gjenialitetit në pikturë, që transformon thejshtësinë shpirtërore me vija, figura, hapa, koka – është një krijues që gjithmonë ka realizuar artin e instiktit intelektual e akademik në fushën e Arteve Pamore.

Piktura e Ferrit ka elemente dhe plane në kompozicion brenda në kanvas, ajo është e thjeshtë me sfond të mbyllur e hera – herës edhe e hapur, është pikturë e dimensioneve të vogla dhe të mëdha, në pikturë shkëlqen shikimi tredimensional i veprës së Ferrit. Ato janë përtej estetikës, janë një art që poetika dhe lirika janë të harmonizuara me idetë dhe ngjyrat, që krijuesi i realizoi në gjashtë faza ( Cikle ). Vizatimi, piktura, tapiceria, shkrimet, librat, vjershat, monografitë i takojnë të kaluarës, sot është një imazh, një brengë që po përjeton famën për së gjalli, të njëjtën jetë e kishte edhe Pablo Pikasso.

Akademik Ferri gjithmonë mbante qëndrim për tema të caktuara në arte, ndërsa fjalimet e tij ishin lineare në vizion dhe filozofike në mendim. Vepra e ferrit pasqyron realitetin e popullit të Kosovës, të gjitha tematikat burojnë nga romanet, nga ajo bibliotekë e pasionit për të lexuar, e modernizmi në letërsi dhe pikturë autorin e shafaqë në dimension tjetër të civilizimit kulturor e artistik. Drama shqiptare ishtë ndoshta preokupimi i pikturave të cilat përbëjnë tabanin kulturor në artet figurative.Veprat kryesore të temave që ai trajtoi në pikturë janë : “Koha e sundimtarit”, “Në pritje”, “Shëtitësit e lodhur”, “Muri i gjallë”, “Me hije dhe pa hije”, “Dy figura”, “Maskat”, “Vetmia”, “Mjeshtri i hijeve”, “Tre hapa”, “Në studio”, “Torzo”, “Miti për burrin dhe gruan”, “Zotat dhe mitet”, “Afër dhe larg”, “Historia e hijeve”, “Në pritje”, “Miti i Pandorës”, “Gati legjendë”.

Ferri ka mbi 1500 piktura në teknika dhe materiale të ndryshme, por kryesisht ka pikturuar në teknikën e vajit dhe akryl; ka të realizuara mbi 2000 vizatime, mbi 300 grafika, mbi 50 qilima (tapiseri ), etj. Ai ka tre cikle më të arriturat në pikturë: “Dy dhe tre hapa”, “Me hije dhe pa hije”, “Bardhë dhe zi në Bjeshkët e Nemura”. Si piktor, Velaskezi qëndron më lartë se El Greko, por me të sikur mësohesh dhe nuk të tërheq më – aktori, piktori, muzikanti, apo edhe poeti me artin e tyre të japin kënaqësi estetike në momentin e përballjes me veprën.

Ferri si përsonalitet origjinal mbetet i tillë, madje edhe ata që nuk e adhurojnë veprën e tij nuk mund ta shpërfillin lehtë, ndonëse shija kultivohet duke shikuar artin origjinal,që zgjon interesim aq të mdh për jetën e piktorit dhe karakterin e tij krijues. Para hijës nuk mund të krijohet çimentimi në mungesë të dritës, lavdia vjen atëhër kur përforcohet mendimi për një vepër ekstravagante. Nuk mund të jemi në një mendje me disa kolegë dhe krijues që e quajnë veprën e Ferrit si “Pllakat”, sepse ai që nuk është profesionist i artit nuk merr vesh nga piktura e arti, kësaj duhet t’i përgjigjet vetëm me heshtje, sepse nuk ka kosto për budallallëk, nuk mund ta konsiderosh artin si një zanat të cilin vetëm zanatçiu e kupton deri në fund.

Fatbardhësisht kam patur rastin ta njoh dhe ta përciell ndër vite punën e akademik Rexhep Ferrit, është piktor dhe shkrimtar i shkëlqyer, i cili këtë e ka realizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse në krijimtari. Ishte më aktiv se sa studentët e tij. Te Ferri është aftësia për krijimtari të lindur, e kjo është revolta e romantikëve ndaj artit dhe jetës. Legjenda ndikon mjaft në rritjen e personalitetit. Zelli i tij për punë të mahnitë, për herë të parë e njoha në ateleun e tij në Fakultetin e Arteve dhe për mua ishte kontakti i parë më profesor Rexhep Ferrin, dhe e pyta: “Profesor, më falë për shqetësim dhe pengesën! -Mund ta bëj një pytje? – Profesor Ferri tha: Po, urdhëro! I thash pse pikturon gjithmonë me ngjyra të ftohëta! Më shikoi dhe më dha një buzëqeshje, duke kapur brushën tha: “ja, kështu më pëlqen, më vjen nga brendësia!”, ma ktheu profesori, ndërsa nuk vazhdova me pytjet, vetëm dola dhe e përshëndeta profesorin. Aty pashë që autoriteti i Ferrit ishte mbi Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë. Megjithatë, nuk jam i sigurt se të gjitha këto shpjegime janë, tashmë, të nevojshme.

Me sa mbaj mend, në një takim me profesor Ferrin, në një kafiteri afër Fakultetit, ai tregon ngjarjen për ekspozitën e mbajtur në vitin 1977 në Paris, në Galerinë “Lambert”, adresa: 14, rue Saint-Louis –en i’lle,75004 Paris”. Ekspozita qëndroi e hapur nga 3 nëntori deri me 3 dhjetor të vitit 1977. Kritiku i artit me famë botërore Alain Bousqet, në parathënien e katalogut shkruan titullin: “SALUT A REXHEP FERRI”! Po citoj disa nga rreshtat ku thot: “On doit distinguer deux preoccupations principals dans art attachant: le jeu des forms abstraites et les personnages. Comme tout, createur modern il faut se se persuader que les frontiers nexistent pas, a cet egard Rexhep Ferri” (Duhet t’i dallojmë dy preokupime kryesore në artin e dashur: lojë e formave abstrakte dhe personazheve. Si çdo gjë, krijues modern është e nevojshme të bindemi se nuk ekzistojnë kufij, në këtë drejtim Rexhep Ferri ).

Francis Bacon ( 1909 – 1992 ) për Rexhep Ferrin. Sipas dëshmive, Bacon ka qëndruar në Paris dhe është frymëzuar për një seri veprash në pikturë dhe litografi, si psh: “Self portret”, e viti 1977. Kjo korrespondon edhe me dëshmitë tjera edhe vetë qendërimit të Bacon po në kët vit në Paris dhe përcjellje të jetës kulturore atje. Bacon me të parë lajmin shkon në ekspozitën e piktorit Rexhep Ferri dhe nga aty kishte përshtypje të mrekullueshme për pikturën e Ferrit, dhe në hapje e fton Ferrin për një darkë të nesërmen, por aristi ynë e kishte refuzuar për arsye se biletën e trenit e kishte të nesërmen në mengjes nga Parisi për në Beograd pastaj në Prsihtinë. Ferri e tregonte me krenari të madhe, por edhe me një pendesë për takimin që nuk pati mundësi ta realizonte me piktorin e famshëm anglesz, Francis Bacon. Unë po them hipotetikisht nëse kishte ndodhur takimi dhe darka me Bacon, sigurisht që sot akademik Ferri ishte pjesë e “Holivudit” artistik të njerëzve më me ndikim në botën e arteve, dhe kushtimisht ishte përsonaliteti më i madh i artit në botë, njëjtë si Ismail Kadare në letërsinë shqipe. Darka e famshme, e cila nuk u realizua, e ktheu këtë ngjarje të parealizuar në një “mit”, sepse ai nuk e kishte ate as vëlla e as shok Ferrin, thjeshtë e dashuronte artin e Ferrit, dhe për këtu bëhet fjalë për një vlerësin real që iu ka bërë piktorit tonë dhe artit tonë shqiptar, në përgjthësi.

A kishin të përbashkët këta dy krijues me famë, them se po – të dytë i takojnë artit modern dhe konsiderohet që bejnë pjesë në mesin e piktorëve të kësaj periudhe së bashku me: Pablo Picasso, Vasil Kandinski, Georges Braque, Ibrahim Kodra e Rexhep Ferri. Dy momente kthese në krijimtarinë e Ferrit janë: e para është ekspozita e tij e pavarurë në galerinë “Graficki kolektiv” e vitit 1968, në Beograd, dhe e dyta – ekspozita e mbajtur në Paris në galerinë “Lambert”, e vitit 1977. Ekspozita e parë në Beograd konsiderohet si ekspozita më me ndikim në fushën e arteve gjatë qëndërimt të tij si student në Beograd, dhe kishte marrë lavdata të mëdha nga njerëzit më me ndikim atje, duke përfshirë edhe pedagogun e tij profesor Rajko Nikoliq. Në këtë galeri pati fatin të ekspozojnë edhe katër artistë të tjerë nga Kosova. Këtu ekspozoi edhe një herë në vitin 1973. Ndërsa, në ekspozitën në Paris ishin po ata krijues që vlerësuan në pozitat më të larta artin e Kosovës dhe në veçanti gjeneratën e “Rilindjes”, dhe këtu Ferri është, ndoshta, protagonist kryesor në artet pamore, duke e përfaqësuar edhe artin e ish-Jugosllavisë deri në Prishtinë në vitin 1990.

Pra, institucionet tona duhen urgjentisht të planifikojnë një muze gjigant në Prishtinë para së atë ta bëjë Beogradi e Parisi për këtë piktor.
Me kompetencë të plotë konstatojmë se ne kemi përfaqësuesin tonë legjitim në fushën e arteve si akademik Rexhep Ferri që i takon stilit modern të Kubizmit në Kosovë. Unë vetëm po e fuqizojë mendimin e dhënë nga kritiku francez Alain Bosquet, që kishte afërsi me të gjithë artistët e kohës nga Salvador Dali, Pablo Picasso, Francis Bacon deri te Huan Miro e Rexhep Ferri. Akademik Ferri sikur të jetonte në Francë sigurisht se do t’ia ndërtonin një muze në Paris, në afërsi me muzeun e Pablo Picassos.

Fati i keq për piktorin dhe kolegët e tjerë që po jetojnë në një vend ku arti dhe kultura janë pjesë e dorës së dytë e tretë e të fundit dhe nuk mbështetën…

/Vazhdon të enjtën/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here