Home Kulturë/Arsim Rënie drastike e nxënësve, mbi 11 mijë më pak nga viti 2004

Rënie drastike e nxënësve, mbi 11 mijë më pak nga viti 2004

224
0
SHARE

Këtë viti në klasë të parë të fillores janë regjistruar 2406 nxënës më pak se në vitin paraprak. Në vitin shkollor 2018/19 u regjistruan 25.00 nxënës, ndërsa vitin e kaluar ishin regjistruar 27.406 nxënës.

Numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë në shkollat e Kosovës ka rënë mbi 11 mijë, krahasuar me një dekadë më parë. Nga 36 mijë e 129 sa ishin në vitin shkollor 2004/2005, në vitin 2017/2018, ishin regjistruar vetëm 27 mijë e 406. Ndërsa këtë vit edhe 2 mijë më pak se në 2017. Dhjetëra miliona euro të investuara në shkolla, sidomos në fshatra janë duke dështuar.

Edhe ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pohuar se ka rënie të numrit të nxënësve që nisin shkollimin fillor. Madje siç ka thënë ai këtë vit janë regjistruar mbi 25 mijë nxënës në klasat e para. Derisa statistikat thonë se një vit më parë ishin regjistruar 27 mijë e 406 nxënës.

“Ka rënie të nxënësve nga informacionet që na vijnë, në të gjitha shkollat në Kosovë. Kjo për shumë arsye, për shkak të migrimit dhe arsye të tjera. Por gjithsesi është një numër akoma i kënaqshëm për një vit të ri për nxënësit e klasës së parë”, është shprehur ai.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci ka arsyetuar rënien e numrit të nxënësve me emancipimin e gruas.
“Nëse përcillet numri i lindjeve vërehet se është në rënie të vazhdueshme. Mendoj se është, të them ashtu çmimi i emancipimit, nëse mund ta them ashtu, të shoqërisë, në veçanti të gruas. Sepse gruaja synon që të punojë, të bëjë edhe karrierë, përveç që të jetë nënë. Dhe, e gjithë kjo ndikon në rënien e numrit të fëmijëve. Prandaj, sipas projeksioneve do të ketë shumë më shumë njerëz të moshës mbi 65 vjeç se që ka në kohën e sotme.”, tha ai.

Ndërsa, Ismajl Kurteshi, anëtar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovcion dhe Ndërmarrësi thotë se krahas rënies së natalitetit, në zvogëlimin e numrit të nxënësve ka ndikuar edhe migrimi i popullsisë.
“Po i veçoj dy faktorë. Një është migrimi i të rinjve të cilët nuk po gjejnë punë në Kosovë dhe po shkojnë në perëndim. Tamam ajo mosha e cila është për të krijuar familje dhe për të pasur fëmijë të vegjël, dhe në anën tjetër planifikimi i familjes. Çiftet e reja tani po i planifikojnë familjet shumë më të vogla se sa që janë planifikuar 15 vite më parë dhe para atyre 15 viteve kur numri i fëmijëve brenda një familjeje ka qenë shumë më i madh se që po bëjnë plan familjet me i pas fëmijët”, tha ai.

Ky trend na çon te konstatimi se në zonat rurale, sidomos në zonat malore, shumica e shkollave janë në prag të mbylljes.
Edhe në zonat urbane, në qytete, ka rënie të nxënësve, me çka brenda pak vitesh do të ketë shkolla të zbrazëta. /Koha.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here