Home Kulturë/Arsim Shkëlqimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “GJILANI” – fiton vendin e...

Shkëlqimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “GJILANI” – fiton vendin e parë në Shkup!

393
0
SHARE

Ansambli që kultivon frymën kombëtare dhe vlerat e mirëfillta kulturore-artistike…

AKV “GJILANI” nga Gjilani fitues i vendit të parë në festivalin ndërkombëtar “Shkupi folk – fest 2018”!

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “GJILANI” ka vazhduar rrugëtimin e sukseseve nëpër festivale kombëtare e ndërkombëtare, duke mahnitur me vlera të njëmedëta kulturore.

Siç bëri të ditur Nehat Ferati, kryetar i AKV-së “GJILANI”, në këtë festival janë paraqitur me potpuri këngësh të kombinuara nga të gjitha trevat shqiptare, për ta begatuar sa më shumë aktivitetin kulturor-artistik.
Me këtë rast kanë interpretuar këngëtarë të njohur të AKV-së “GJILANI”: Avdi Latifi, Qemajl Musliu, Afrim Hazri, Nazim Gagica, Adnan Leka, Nehat Ferati, Kaltrina Hajdari, Eronita Qerimi dhe Rinesa Zahiri, nën përcjelljen e orkestrës profesionale të artistëve gjilanas, me përzgjedhjen e këngëve dhe udhëhequr nga maestro Murat Ismajli, në bashkëpunim me Këshillin Artistik te Ansamblit.
Gjithashtu, AKV “GJILANI” është paraqitur me “kolazh vallesh” nga grupi i mrekullueshëm i valltarëve, me koreografi të Qemajl Musliut.
Festivali “SHKUPI FOLK-FEST 2018” është organizuar nga Shoqëria Kulturore Artistike “SHQIPONJA” dhe Komuna Saraj e Shkupit. Ky festival është mbajtur për here te dytë dhe, sipas organizatorit, pritet të jetë një festival tradicional. Festivali pati karakter garues dhe i pasur me laramani të këngëve dhe valleve të mbi 20 ansambleve dhe grupeve tjera muzikore.
Ferati ka përgëzuar të gjitha ansamblet pjesëmarrëse në këtë festival, duke shprehur bindjen dhe besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë e avansohet në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të njëmendëta kulturore.
Programi i paraqitur nga AKV “GJILANI” e pasuroi këtë ngjarje, duke i dhënë jehonë sheshit “Isa Boletini” në Saraj të Shkupit, me këngë dhe valle të bukura shqiptare. Paraqitja e gjilanasve është mirëpritur shumë ngrohtë dhe me entuziazëm nga publiku vendas dhe nga organizatorët.
Vlen të theksohet se pjesëmarrja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “GJILANI”, në këtë festival, është realizuar në kuadër te bashkëpunimit të shkëlqyer të Ansamblit nga Gjilani dhe organizatorit, me ç’rast AKV “GJILANI” i shpreh mirënjohje dhe falënderim organizatorëve në krye me Fevzi Ebibi, drejtor i këtij festivali. Gjithashtu, gjilanasit kanë falenderuar edhe udhëheqësin artistik – këngëtarin e mirënjohur Selajdin Miftari, për pritjen dhe organizimin e jashtëzakonshëm të kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme kulturore – artistike.
Ky aktivitet kulturor i AKV “GJILANI” është mbështetur nga Komuna e Gjilanit. Me këtë rast, ansambli gjilanas falenderon kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri dhe kryesuesen e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi. AKV “GJILANI e ka falenderuar Kurteshin edhe për angazhimin e saj, duke u bërë thirrje institucioneve përkatëse dhe donatorëve që ta mbështesin AKV “GJILANI”, si vlerë e dëshmuar dhe e pakontestueshme jo vetëm e qytetit të Gjilanit, por e gjithë kombit. Prandaj, duke e mbështetur këtë ansambël ne mund t’i ruajmë e kultivojmë vlerat e mirëfillta kombëtare.

Përgatiti për shtyp /redaktoi/: Nexhat Buzuku

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here