Home Rajonale Haziri drejtorëve komunal: dinamikë më të madhe për realizimin e projekteve të...

Haziri drejtorëve komunal: dinamikë më të madhe për realizimin e projekteve të mëdha

64
0
SHARE

Gjilan, 3 nëntor 2018 – Sot, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij, në mbledhjen me Këshillin e drejtorëve, ku ishte i pranishëm edhe përfqësuesi i USAID-it, kanë diskutuar për përmbylljen më të mirë të mundshme të periudhës së mbetur të tremujorit të fundit të këtij viti në aspektin e punëve, realizimit të projekteve, pagesave, duke e shfrytëzuar këtë kohë e cila është e favorshme për të punuar ende dhe, njëkohësisht, përgatitjen për planin e punës dhe programin për vitin 2019.

Në fjalën e tij Haziri ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive komunale që dinamikën e punëve ta ngritin, sikur që ka kërkuar bashkëpunim sipas natyrës së punës edhe të drejtorive mes vete, që shërbimi i nivelit lokal të jetë pranë kërkesave të qytetarëve dhe zgjidhjes së tyre.

Ai, njëkohësisht, ka kërkuar që për vitin e ardhshëm të punohet së pari në përmbylljen e projekteve të filluara, dhe të punohet në bazë të planifikimit të buxhetit edhe me investim të projekteve model, të dëshmohet angazhim jo vetëm për investim por edhe për mirëmbajtjen e tyre dhe ruajtjen.
Në sektorin e shëndetësisë, kadastrit dhe bujqësisë, Haziri ka thënë se tashmë është krijuar një stabilitet i plotë i shërbimeve për qytetarët, kurse nga drejtoritë tjera ka kërkuar që të jenë të harmonizuara mirë me Zyrën e Prokurimit, në mënyrë që të gjitha procedurat, që nga inicimi e deri në finalizim të projektit, të jeNë planifikuar mire dhe të harmonizuara me ligjet në fuqi, duke trajtuar të gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit në mënyrë të barabartë.
Për fushën e arsimit, që është prioritet i kësaj qeverisje, kryetari Haziri ka ofruar mbështetjen e plotë për të gjitha nismat që pikëprekin interesin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve.
Në këtë mbledhje, Haziri ka kërkuar që të gjitha rekomandimet e auditorit të trajtohen me prioritet, por edhe bashkëpunimi me mekanizmat dhe grupet e themeluara ndërkomunale e ndërsektoriale të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.

Ai ka shtuar se bashkëpunimi i Komunës së Gjilanit me donatorët dhe investitorët duhet të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, sikur që përgatitjet për investime duhet të jenë në aspektin profesional dhe në një kohë rekorde, që ajo që është e mundur të fillohet këtë vit, të bëhet me planifikim të qartë, ndërsa ajo që mbetet për vitin tjetër, sipas tij, të jetë e projektuar në bashkëpunim të plotë mes vete.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here