Home Rajonale Zyrë e policisë në Stacionin e Autobusëve

Zyrë e policisë në Stacionin e Autobusëve

68
0
SHARE

Shtohet niveli i sigurisë dhe i rendit…

Gjilan, 2 nëntor 2018 – Sot në Ndërmarrjen Komunale Stacioni i Autobusëve është bërë hapja e zyrës për prezencën e policisë, me qëllim të rritjes së sigurisë publike, kujdesit ndaj udhëtarëve dhe operatorëve. Kjo është bërë në kuadër të bashkëpunimit që ka Komuna e Gjilanit me Policinë e Kosovës.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se “është ndërmarrje në të cilën marrin shërbimet e tyre 15 mijë udhëtarë brenda ditës dhe prezenca e policisë është e domosdoshme. Gjithashtu, nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ, i cili sanksionon ndaljet e autobusëve dhe operatorëve të tjerë në vende të paautorizuara dhe gjobat mandatore janë shumë të larta, andaj apelojmë operatorët që të jenë vigjilent dhe të zbatojnë ligjin dhe rregullat e komunikacionit”, ka nënvizuar ai, në ceremoninë e hapjes së kësaj zyreje.

Haziri ka konfirmuar se në ndërmarrjen publike Stacioni i Autobusëve, do të vazhdohet me investime dhe njëkohësisht tha se pret certifikimin e stacionit sipas udhëzimeve ligjore.
Sipas Hazirit, investimet kanë të bëjnë me infrastrukturën e terrenit dhe objektit në mënyrë që të gjitha llojet e transporteve që kërkohen të jenë të koordinuara edhe me stacionet tjera. Gjithashtu, ka vijuar ai, Policia e Kosovës do të ndërmarrë masat e nevojshme dhe nuk do të ketë as ndalje apo parkim të paautorizuar në territorin e komunës së Gjilanit, në mënyrë që stacioni të jetë në funksion të mbarëvajtjes së detyrave të veta ligjore që ka.

Ndërkaq, Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka falënderuar kryetarin e Komunës për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë policisë që të jetë më afër qytetarëve, sikur në rastin e sotëm ku fluksi i tyre brenda ditës është shumë i madh.

“Lusim të gjithë operatorët që t’u përmbahen rregullave të Stacionit të Autobusëve dhe njëkohësisht të zbatojnë edhe udhëzimin administrativ për qarkullimin në komunikacion, që ka hyrë në fuqi nga data 1 nëntor 2018, sepse në të kundërtën duhet të veprohet në përputhje me këtë udhëzim”, ka thënë Ramushi.

E, Avni Hajrullahu, kryeshef ekzekutiv i Stacionit të Autobusëve, ka theksuar se është një element pozitiv hapja e zyrës për Policinë e Kosovës në shërbim të qytetarëve, operatorëve dhe këtij institucioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here